Katër vite pa të por megjithatë vazhdon të jetë mes nesh. Mejdan Zhivani vazhdon të na mbledhë sërish, ashtu siç bënte vite më parë. Këtë herë për ta kujtuar sepse mungesa e tij vazhdon të ndihet tek të gjithë ne.

Pasditen e djeshme gazetarët shkodranë janë mbledhur në kompleksin “Fredi” Juban, për të kujtuar kolegun e tyre të ndarë nga jeta 4 vite më parë, në kulmin e rinisë së tij, pikërisht në moshën 38 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Ata kanë organizuar kupën me emrin e tij, teksa ky ka qenë edicioni i dytë që ai zhvillohet në Shkodër ndërkohë që dy vitet e tjera është organizuar në Laç e Kukës.

Në edicionin e sivjetëm kanë marrë pjesë katër ekipe, ai i TV1 Channel, Star Plus TV, TV Rozafa dhe RTSH. Sa i takon rezultateve, TV1 Channel ka fituar në gjysmëfinale ndaj TV Rozafa, ndërsa Star Plus TV ka fituar ndaj RTSH.

Në finale ka qenë TV1 Channel që ka fituar 5-1 ndaj Star Plus TV dhe kësisoj ka merituar kupën “Mejdan Zhivani”. Ka qenë vëllai i këtij të fundit që i ka dorëzuar kupën ekipit fitues përmes emocionesh jo të suksesit në këtë aktivitet, por të nderimit për kolegun tonë.

Kanë asistuar përveç gazetarëve edhe familjarët e Mejdanit, vëllezërit Sokoli e Përpari apo dhe të afërm të tjerë të tij. Njëkohësisht kanë marrë pjesë edhe në këtë aktivitet edhe figura të tjera të njohura të sportit shkodran.

Më shumë se gjithçka e rëndësishme ka qenë mbledhja sërish për kolegun tonë “Mejdan Zhivani”. Po na mbledh çdo vit të gjithëve sëbashku, si pakkush tjetër dhe kjo tregon më së miri faktin se ai ka qenë i veçantë nga të tjerët.
© shkodrasport.com