Ka një karrierë në Kategorinë e Parë, kryesisht me skuadrën e Burrelit, por pak kohë edhe me Ilirinë dhe Besën. Nga kavajasit, ai ra në syrin e drejtuesve ballshiotë, që në verë e afruan në gjirin e tyre, i dhanë hapësira dhe tashmë, është një lojtar i rëndësishëm në skuadrën e Dovedan, por edhe një nga mesfushorët e spikatur në Superiore.

Sot në Shkodër edhe pse me penallti ka shënuar golin e tij të parë në elitë. Sipas Mëllugjës, Bylisi e meritonte fitoren. Në fjalën e tij për Supersport, mesfushori i klubit ballshiot tha:

“Të them të drejtën, kisha një emocion shumë të veçantë, pasi akoma nuk kisha shënuar në Superiore. Shpresoj të vazhdoj edhe më shumë në të ardhmen. Edhe në stërvitje, trajneri mi ka besuar penalltinë. Sot mora iniciativën për të gjuajtur dhe shënuar”.

“Me lojën që bëmë sot, duhet të kishim fituar. Goli i anuluar ishte mëkat, të gjithë e panë që ishte gol i rregullt. Në Burrel, nuk kemi pasur ekipe moshash, e kam nisur futbollin diku te 17 vjeç e gjysmë. Katër vite e ca, nuk isha marrë me futboll, vetëm me kalçeto për qejf”, – tha në fund mesfushori nga Mati./vipsport/