Rifillimi i kampionatit ishte i ndryshëm, por e arritëm objektivin tonë. Romë, po vijmë!” Me anë të këtij postimi, Kristiano Ronaldo fillimisht kërkoi falje sipas mënyrës së tij, por në të njëjtën kohë premton të shlyejë gabimin nga pika e penalltisë, pse jo me një gol të tij, por edhe trofeun e parë sezonal, Kupën e Italisë, më 17 qershor (të mërkurën).

Portugezi, i cili përpara ndërprerjes së Serisë A kishte arritur që të shënonte për 11 ndeshje radhazi (seri që u ndërpre pas duelit të 8 marsit me Interin), papritur u step nga rifillimi i sezonit, duke tronditur shtyllën dhe duke gabuar nga 11 metrat, gjë që e bën rrallë (15 muaj më parë gabimi i fundit, përballë Sorrentinos në Juventus-Kievo 3-0, të 21 janarit 2019). Por për të mos bërë më të tillë hapa falsë, 35-vjeçari mbërriti që në 7 të mëngjesit në qendrën stërvitore, edhe pse seanca ishte parashikuar për në orën 10:00. Kristiano, i cili nuk kishte nevojë as që të konsumonte mëngjesin, iu drejtua menjëherë fushës stërvitore për të shfryrë vrerin e tij, sepse të mërkurën është në lojë një trofe dhe Napoli nuk ka ndërmend që t’ia bëjë aspak të lehtë punën.

Pas gabimit, nuk ndalet

Ndoshta, në pritje të finales së Kupës së Italisë, gabimi që bëri ndaj Milanit, mund të jetë një ogur i mirë për Kristiano Ronaldon dhe Juventusin. Pikërisht kështu, sepse pas gabimit ndaj Sorrentinos në janar 2019, edhe pse nuk ndikoi në rezultat, portugezi vendosi të hakmerrej duke goditur konkretisht Strakoshën në duelin kundër Lacios, Sepen e Parmës, Konsiljin e Sasuolos dhe Sportielon e Frozinones, për një total prej 5 golash në 4 ndeshje kampionat, ndaj finalja e “Olimpikos” së Romës premton një Ronaldo në formatin “hakmarrës”.Ronaldo prezantohet Real

Nga CR7 në… CR9

Pas gabimit nga pika e penalltisë, siç e pranoi edhe vetë trajneri Sarri, Kristiano pranoi që të bënte një “zhytje” në të kaluarën, duke qenë se kaloi nga roli i sulmuesit anësor, në atë të pykës së zonës, në rolin e numrit 9 (këtë rol nuk e bënte që nga koha e Realit të Karlo Ançelotit), eksperimenti i radhës nga ana e trajnerit të Juventusit, për të zgjidhur këtë problem golash me pikatore, që i përndjek kampionët në fuqi të Serisë A, në këtë vit të parë me trajnerin e ri. 50 gola në kampionat, kundrejt 70 të Atalantës dhe 60 të Lacios janë një “mizerje” për një skuadër që kryeson futbollin në Itali dhe të mërkurën do të kërkojë edhe kupën. Prandaj, ideja e Sarrit për të transferuar Ronaldon nga korsitë anësore në qendër të zonës është një zgjedhje, që duke u nisur të paktën nga statistikat e ndeshjes me Milanin, duket se i japin të drejtë trajnerit të “Zonjës së Vjetër”.

Duke luajtur si CR7, pra duke u nisur nga e majta e sulmit drejt qendrës, Ronaldo ka ofruar mesatarisht 5.4 gjuajtje drejt kuadratit dhe ka ndërtuar 1.4 raste të rrezikshme për gol. Ndërsa si CR9, pas urdhrit të Sarrit të premten, portugezi lëshoi 9 goditje drejt kuadratit dhe krijoi 2 raste për gol. Madje, edhe topat e prekur si numër 9 japin garanci, 66 kundër 56.1 duke luajtur në të majtë. Prandaj, kundër Napolit në finale, pritet një Ronaldo i ndryshëm jo vetëm në rol, por edhe shumë më i rrezikshëm, i saktë dhe i uritur, sesa ai që u pa në ndeshjen e parë sezonale, post-koronavirus.