Ndërsa thuajse i gjithë globi mbetet në izolim, Tajvani nis sezonin e ri të bejsbollit. Gjithsesi, prej frikës së pandemisë koronavirus, autoritetet kanë lejuar që ndeshjet të luhen, por pa praninë e tifozëve.

Kjo ka bërë që klubet të improvizojnë mbështetës specialë, duke i mbushur tribunat me manekinë apo edhe me fytyrat e printuar të tifozëve. Mbështetësit e pazakontë, të cilët ishin veshur me uniformat dhe ngjyrat e skuadrës vendase, u shfaqën në impiantin ndërkombëtar të bejsbollit, në qytetin e Taoyuan.

Një prej veçantive ishte se tifozët prej kartoni apo manekinët, kishin të gjithë maska për mbrojtjen nga koronavirus. Të vetmit njerëz që u lejuan në stadium ishin sportistët e skuadrave, pjesëtarët e stafit teknik por edhe nxitëset e tifozëve, të cilat e shfrytëzuan rastin të shkrepnin fotografi me dekorin e veçantë në tribuna.

Tajvani vendosi të ecë kundër rrymës, duke u bërë një prej vendeve të pakta në botë që vazhdon aktivitetet sportive, pavarësisht rrezikut të përhapjes së Covid-19. Edhe pse gjeografikisht është pranë vatrës së pandemisë dhe më 21 janarin e kaluar regjistroi rastin e parë të infektuar nga virusi i ri, Tajvani ka arritur ta mbajë situatën nën kontroll. Deri më tani, ishulli-shtet i cili është pjesë e Republikës së Kinës ka vetëm 388 të prekur dhe 6 viktima./a2news/