Pas mbylljes së finaleve të basketbollit, një tjetër aktivitet I rëndësishëm sportiv do të nisë në Shkodër. Bëhet fjalë për turneun e 11-të ndërkombëtar të boksit “Vllaznia 2014”. Organizatorët janë në hapat e fundit të përgatitjeve për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Njëri nga njerëzit që ka meritë të veçantë në këtë aktivitet, trajneri I mirënjohur Zef Gjoni, në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com ka bërë të ditur edhe shtetet pjesmarrëse në Memorialin e sivjetëm. “E veçanta është konfirmimi sëfundi i Zelandës së Re. Ndonëse shumë larg, kombëtarja e këtij vendi do të jetë në Shkodër për këtë aktivitet. Përveç kësaj ka konfirmuar pjesmarrjen edhe Italia, Kazakistani, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova. Jemi në pritje edhe për disa shtete të tjera dhe besoj se kanë për të qenë të pranishëm mbi 10 shtete edhe sivjet”- ka thënë kryetrajneri i kombëtares shqiptare Zef Gjoni.E ndërsa vitet e kaluar, për trajnerin Gjoni gjetja e financave ka qenë një dhimbje e madhe koke, sivjet duket se nuk ka patur asnjë problem sepse ka qenë Federata ajo që ka marrë përsipër mbulimin e anës financiare të Memorialit. Megjithatë, ai kërkon patjetër një vëmendje më të madhe të shtetit ndaj këtij sporti, prandaj edhe do t’I bëjë një ftesë të posaçme kryeministrit të vendit për të qenë I pranishëm në këtë memorial ku sigurisht pritet zënia e disa vende të para nga boksierët e kombëtares sonë. “Do të doja t’i bëja ftesë edhe kryeministrit të vendit për të qenë i pranishëm në këtë Memorial për të parë nga afër nivelin e boksierëve tanë sepse po na konsideron sërish një sport të harruar. Boksierët e kombëtares sonë, të jeni të bindur se do të zënë sërish disa vende të parë edhe në aktivitetin e përvitshëm që organizojmë këtu në Shkodër”- ka thënë ai.Memoriali Vllaznia 2014 do të startojë më datë 16 maj në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe do të zgjasë tre ditë me rradhë, teksa pritet një ballafaqim I fortë në mes boksierëvë pjesmarrës nga shtetet e ndryshme.
Gjergj KOLA