Pasditja e së enjtes pritet të dhurojë shumë emocione në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Luhet finalja e tretë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Tiranës. Fitorja e shkodranëve në këtë takim do të thoshte mbyllje e kampionatit dhe shpalljen e tyre kampionë të këtij sezoni. Njëri nga titullarët e ekipit, shtatëlarti Gjon Ndoja është I bindur se fitorja do t’I takojë Vllaznisë edhe në këtë ndeshje. “Jemi përgatitur për ta mbyllur me sukses edhe këtë ndeshje të tretë. Skuadra është në formën e duhur dhe besoj se do fitojmë dhe më pas do gëzojmë të gjithë sëbashku”- ka thënë ai. Por natyrisht që ekziston edhe frika e ndonjë humbje. Ndoja gjithsesi nuk e mendon përsëritjen e asaj çfarë ndodhi në finalen e parë. Madje, ai u bën thirrje tifozëve për të qenë të pranishëm në pallatin e sportit dhe për të festuar sëbashku në fund të ndeshjes. “Nuk ka për të ndodhur ajo që ndodhi finalen e parë. Këtë herë do jetë krejt ndryshe dhe për këtë ju garantoj. Unë ftoj tifozët tanë të zjarrtë të jenë sërish në pallatin e sportit për të na mbështetur dhe në fund për të festuar titullin kampion”- ka thënë Ndoja.Takimi Vllaznia- Tirana do të luhet pasditen e së enjtes, në orën 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe interesimi për të, duket shumë I madh nga sportdashësit shkodranë sepse kuqeblutë janë shumë pranë titullit kampion, madje nesër ata mund të festojnë sëbashku.
Gjergj KOLA