Opinion nga Dritan GJYREZI
Gjatë sezonit futbollistik , “frymëmarrja” e trajnerëve per ekipet që kanë probleme gjatë fazës së parë është gjithmonë muaji janar. Po të dëgjosh deklaratat e trajnerëve gjatë gjithë fazës, bien në sy shfajësimet e tyre edhe deklarojnë përherë se do hyjnë fuqishëm në merkato për të rikuperuar defektet që kanë. Por sa qëndrojnë këto deklarata? A është e mundur që në fazën e janarit të gjesh lojtarët e duhur, ato cilësorët?
Përgjigjen e këtyre pyetjeve mund ta gjejmë edhe tek ajo çfarë po ndodh tek Vllaznia aktualisht. Po të shohësh rrjedhjen e ngjarjeve, u duk në fillim se gjithë lojtarët që vinin në provë me dijeninë e trajnerit dhe pa dijeninë e asnjë drejtuesi, treguan se diçka mund të lëvizte, por rezultoi e kundërta sepse nga vëzhgimet e bëra asnjë nga këto lojtarë nuk rezultoi se dinte të luante futboll e për më tepër të ishte i dobishëm për Vllazninë. E për më tepër lojtarë qesharak të së shkuarës që na iknin nga hoteli natën për hënë, kërkonin shuma marramendëse që do i kishin lakmi edhe lojtarët më të paguar të kampionatit shqiptar. Mesa duket disa nuk e kanë kuptuar akoma se shqiptarët nuk gënjehen më si në fillimet e demokracise sportive. Në këtë fazë është e pamundur të gjesh edhe lojtarë cilësor nga kampionate te ndryshme të Europës e Ballkanit pasi asnjë ekip s’do dëshironte të largonte lojtarët cilësor përveç në ndonjë rast mosmarrëveshjesh. Prandaj dhe deklaratat kontradiktore të trajnerit që në fillim do largonte shumë e pastaj ta mohonte këtë gjë, nuk bëjnë gjë tjetër përveçse ulin dëshirën e lojtarëve për të vazhduar bashkëpunimin pasi ndjehen përherë në rrezik e të pavlerësuar. Puna e merkatos nuk është vetëm një javë apo një muaj kur merr lojtarë në provë. Gjatë viteve të shkuara tek Vllaznia, shpeshherë specialistët e ekipit gjatë gjithë kohës dilnin të vëzhgonin ndeshje të ndryshme të lojtarëve të ndryshëm sepse asnjeherë nuk mund të vlerësosh më mirë një lojtarë në provë se sa në ndeshje zyrtare dhe sot nuk e kuptoj pse këshilltarët e shumtë të Vllaznisë nuk bëjnë po të njëjtën gjë. Biles mund të themi se shumë shpejt mund të hyjmë në çudirat botërore të tipit: Trajneri nuk e do dhe e grumbullon kombëtarja!!! Dhe ajo që bie në sy pa u zgjatur shumë është merkatoja e ditëve të fundit që po ofrohen lojtarë të paprovuar, të pavëzhguar por me sugjerime të mëdha alla-Petroviç të cilë në momentin që mbushin xhepin me firmosjen e kontratës, dalin me deklarata që më besoni mua se unë do e shpëtoj Vllazninë dhe largohen ato që çdo ekip do i dëshironte në gjirin e tij.