Opinion nga Eduard ILNICA

Ndërhyrjet në një ekip shpesh janë të pashmangshme, sidomos kur në ekip vjen një trajner i ri, me nje filozofi të re dhe një profesionist që ka qenë shembull në kohën kur ka qenë vetë në fushën e lojës. Por “gjella me kripë, kripa me karar”. Jo vetëm sa dashamirës apo le të them si tifoz i Vllaznisë, por edhe si një njeri që jetoj me botën e futbollit, aq më tepër me superligën shqiptare, nuk mund të rri pa thënë dy fjalë mbi lëvizjet ose më saktë mbi dinamikën aktuale të ngjarjeve në ekipin e Vllaznisë.

Si çdo ekip, edhe Vllaznia ka nevojë për forcime, madje më shumë sesa ekipet e tjera, duke parë që nga ekipi janë larguar lojtarët kryesorë, teksa Sukaj dhe Vajushi, dy lojtarët më të mirë të superligës, tashmë luajnë jashtë vendit. Trajnerit Vata “i heq kapelen” për atë frymë profesioniste që ka futur te Vllaznia, për atë që ndoshta ndër vite ka munguar tek ekipi shkodran, duke sjellë një tjetër mentalitet dhe përdorur atë disiplinë dhe metodë pune që në fakt duhet për çdo ekipi shqiptar, pse jo, të jetë shembull se si duhet punuar. Por jam kundër në një gjë, te merkatoja apo te përzgjedhja që po bën Rudi Vata. Për momentin, ai po ngatërron si duket punën e menaxherit (që e ka bërë mirë më parë) me atë të trajnerit. Pse e them këtë? Shoh kohët e fundit shumë preferenca te Vatës që habitin jo pak opinionin futbolldashës. Flas për merkaton. S’jam trajner, as seleksioner, por di të them, kush i ka kërkuar kaq shumë futbollistët që do Vata? Vetëm ai. Kush do të marrë kaq shumë futbollistë në merkaton e janarit? Vetëm Vata. Dua t’i drejtoj një pyetje direkte trajnerit Vata. Për çfarë duhen gjithë këtë futbollistë në janar? Çfarë objektivash ka Vllaznia? Kujtojmë që në kampionat kuqeblutë janë 15 pikë larg vendit të parë dhe 6 pikë (një ndeshje më pak Skënderbeu) larg vendit të tretë që mbahet nga korçarët, vend që të çon në Europë. Pra, Vllaznia as 10% shanse nuk ka të arrijë ndonjë objektiv në kampionat. Po flasim për Kupën, aty ku shanset janë më të mëdha. Të paktën në pamje të parë. Por nëse te Vllaznia ka firmosur vetëm një sulmues malazez, tek ekipet rivale kanë firmosur shumë futbollistë dhe më cilësorë dhe është koha shumë e paktë për të krijuar një ekip rivalizues, sikur këto ditët e fundit të vinin edhe 10 futbollistë. Por kutjojmë edhe një gjë, Vllaznia nuk ka asnjë aleancë. Flasim hapur, nëse Skënderbeu, Flamurtari apo Tirana kanë deri në ndikime politike, Vllaznia nuk i ka këto. Atëherë, çfarë i nevojitet gjithë ky revolucion ekipit shkodran? Objektiva madhorë nuk ka, nuk është se nuk ka futbollistë, qoftë të rinj, qoftë me eksperiencë, ndryshe do të ishte po të qe qershor apo korrik. I jap plotësisht të drejtë Vatës në çështjen “Sukaj”, që ende po lakohet, apo edhe në ndonjë çështje tjetër, por nuk ndërrohet ekipi i gjithi në janar. Mbetem me shpresë që të ngelet pak “palcë kurrizore” shkodrane, madje edhe shqiptare, sepse më shumë po shoh të huaj sesa vendës. I uroj më të mirën Vllaznisë dhe Vatës, sepse unë do të bëj gjithnonë tifo për këtë ekip.