Skënderbeu përgatit goditjen e radhës në merkato.

Burime bënë me dije se drejtuesit kanë arritur akordin paraprak me Xhoi Carkanjin.

Kontaktet me 27-vjeçarin kanë nisur prej kohësh dhe tashmë pritet vetëm kthimi i lojtarit nga Australia, atje ku po mbyll sezonin.

Mësohet se gjuha e përbashkët mes palëve është arritur tashmë dhe sulmuesi, pasi është bindur nga projekti i Ardjan Takajt, i ka thënë “po” ofertës.

Firma është një procedurë që do të kryhet më vonë, pasi lotari është në aktivitet momentalisht.

Kampionatin e nisi me Bylisin, por më pas shkoi në kontinentin e largët, ku po aktivizohet tek ekipi i Adelaide Olimpik FC.

Në ditët e para të muajit gusht pritet që të rikthehet në Shqipëri, për t’iu bashkuar bardhekuqve.

Futbollisti në fjalë ka luajtur 20 ndeshje me ballshiotët në edicionin e fundit, për të provuar më pas eksperiencën në Australi. Në 13 gusht mbaron kampionati atje, por në Korçë mund të vijë më herët.

Nëse gjithçka shkon drejt zyrtarizimit me Carkanjin, skuadra e Migen Memellit mund të mbyllë merkaton për sulmin.

Për këtë repart kanë shkodranët Nikaj e Pusi, si edhe afrikanët Meil dhe Abubakar që janë bashkuar së fundi me skuadrën.

E njëjta gjë nuk vlen për mesfushën, e cila vazhdon të jetë e boshatisur.

Largimet e shumta detyrojnë klubin që të bëjë ende përforcime.

Ka qenë një kërkesë e vetë Migen Memellit, që ekipi të jetë i kompletuar në masën 80% në momentin e parë që do të nisë përgatitjen.

Fazë e cila fillimisht u mendua të niste në 20 korrik, por me shumë mundësi mund të shtyhet edhe për pesë ditë të tjera për të pasur gjithçka gati./PANORAMA-SPORT/