Asion Daja është një nga emrat që spikat në riorganizimin e deritanishëm të Dinamos për sezonin e ri. Kanë afruar edhe mbrojtësin Dikson Eçe Idakvo apo sulmuesin Taulant Marku, por mesfushori hyn te lëvizjet e veçanta. Është dinamovit i lindur, që rikthehet te “nëndetësja” pas gati një dekade. Dhe vjen me “mision” të qartë, të ngjisë kryeqytetasit në elitë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 32-vjeçari tregon pse bëri këtë zgjedhje. Ai thekson se të gjithë bashkë do të mundohen të rikthejnë AND-në e Dinamos, duke e bërë faktor të futbollit shqiptar, por jo vetëm me fjalë.

Riktheheni pas gati 10 vitesh, aty ku e nisët. Çfarë do të thotë kjo për Dajën?

Për mua është një ndjenjë e veçantë rikthimi te Dinamoja, pasi është ekipi ku jam rritur. Kam qenë tek ekipet zinxhir që në moshën 10-vjeçare, pastaj kam debutuar me ekipin e parë. Atë vit isha pjesë e ekipit që fitoi titullin kampion në ndeshjen e fundit me Partizanin, në sezonin 2007-2008. Dëshira ka qenë gjithmonë për një rikthim te Dinamoja.

Pse vendosët të luani në Kategorinë e Parë, çfarë ju bindi?

Të jem i sinqertë, një telefonatë e presidentit Adrian Bardhi më bindi të jem pjesë e projektit të Dinamos në Kategorinë e Parë. Dinamo do të jetë pjesë e elitës shumë shpejt, do të jetë aty ku i takon, ndaj dhe vendosa t’i bashkohem asaj.

Një mesazh për tifozët?

Pa u nxituar në deklarata, doja t’u thosha tifozëve tanë se do të mundohemi të gjithë bashkë të rikthejmë AND-në e Dinamos. Ta rikthejmë Dinamon si dikur, faktor të rëndësishëm në futbollin shqiptar. Kuptohet që kjo gjë do kohë dhe durim, sepse nuk mund të arrihet përnjëherësh.