Tashmë kampionati i Superligës ka startuar, ku kanë kaluar edhe 3 javët e para. Skuadrat kanë përfunduar edhe merkaton duke u përforcuar dhe formatuar ekipet për edicionin 2022-23. Vllaznia nga ana e saj ka pasur disa afrime duke nisur nga mbrojtja në sulm.

Kështu emra si: Shehi, Juriç, Marku, Boshnjaku, Vulaj, Mala apo edhe Kaina kanë rritur cilësinë dhe konkurrencën. Pavarësisht se për disa prej futbollistëve ky është një rikthim në Shkodër. Por nëse ka diçka shumë pozitive në këtë merkato verore është se kuqeblutë kanë ruajtur bazën e skuadrës së 2-3 sezoneve të fundit.

Kemi parë shpesh që në futbollin tonë, ekipey ndërrojnë nga 16-17 futbollistë çdo merkato. E kjo do të thotë të shkatërrosh çdo gjë në fund të çdo sezoni. E drejtuesit shkodranë janë treguar të aftë të ruajnë një pjesë të mirë të futbollistëve titullarë.

Kështu Zogoviç, Gurishta, Bulatoviç, Hakaj, Jonuzi, Latifi dhe Aralica e Heriç apo edhe emra si Kruja e të tjerë janë sërish në skuadër. Kjo për të garantuar një bazë të fortë të formacionit ku shihet edhe në këtë fillim edicioni.

Pasi skuadra po arrin rezultatet pozitive, pavarësisht humbjes në javën e parë kundër Erzenit. Po ashtu përshtatja e lojtarëve të rinj është më e shpejtë kur në ekip gjen futbollistë që kanë aty prej vitesh dhe e njohin mirë ambientin. Dhe “goditja” më e mirë në merkato këtë verë ishte ruajtja e grupit që garanton për vazhdimësinë e suksesve.
Endri ÇINARI