Vllaznia ka mbyllur merkaton e dimrit vetëm me një afrim, atë të sulmuesit Bekim Balaj, i cili u rikthye në Shkodër pas 12 vitesh e shtatë muajsh karrierë jashtë Shqipërisë. Një afrim i bujshëm, jo vetëm nga emri i lojtarit, por edhe nga kontrata që do të përfitojë shkodrani në tri vite, duke e bërë atë më të paguarin e kampionatit shqiptar (12 mijë euro në muaj).
Mirëpo, drejtuesit që bënë një afrim të tillë, duket se kishin planifikuar edhe të tjera lëvizje, pikërisht atë të prishjes së kontratës me sulmuesin kroat, Ante Aralica, por edhe një zgjidhjeje të çështjes së fantazistit Kristjan Vulaj, për të cilin opsioni i huazimit ishte në lojë. Shpenzimet për këta lojtarë do të bënin të mundur edhe zbutjen e shumës që do të paguhej për Balajn. Megjithatë, në mbyllje të merkatos drejtuesit e klubit nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët me Aralicën dhe Vulajn.
Dy lojtarët nuk kanë pranuar zgjidhjen e kontratës me një marrëveshje që klubi iu ka ofruar për dëmshpërblimin. Për këtë arsye do të vijojnë që të jenë pjesë e ekipit, por ama me ndryshimin që Aralica prej javësh nuk grumbullohet nga Josa, ndërsa Vulaj vijon të jetë në stol pa marrë asnjë minutë.
Mësohet se lojtarët do të vijojnë stërvitjet me skuadrën dhe do të marrin pagat e nënshkruara në kontratë deri në fund të sezonit. Nëse kroatit i skadon marrëveshja në muajin maj, e kundërta ndodh me Vulajn, i cili ka kontratë edhe për dy vite të tjera.
Dy lojtarët mësohet se paguhen nga 6 dhe 5 mijë euro në muaj, duke kapur rrogën e Balajt, prandaj largimi i tyre do të ulë kostot, për më tepër që trajneri nuk i ka në plane për pjesën e mbetur.