Me kampionatin shqiptar që do qëndrojë pushim deri në gjysmën e janarit, vëmendja për skuadrat kalon tek merkato. Të gjitha ekipet e elitës së futbollit tonë do kërkojnë përforcime për vijimin e edicionit. Përjashtim nuk bën as Vllaznia, që duket se ka piketuar lojtarët që mendohet se do i shërbejnë ekipit.

Por tek kuqeblutë duket se nuk do ketë merkato vetëm në hyrje, por edhe në dalje. Kështu në orët e fundit ka qarkulluar emri i Aralices si një largim i mundshëm. Por duket se kroati nuk është i vetmi me valixhe në duar. Duket se edhe Elvedin Heriç do jetë largimi i rradhës nga kuqeblutë. Mesfushori nuk ka bindur aspak këtë sezon dhe nuk shihet si një lojtar i rëndësishëm.

Por një emër rreth të cilit ka shumë pikëpyetje është edhe Kaina. Sulmuesi brazilian po ashtu mund të jetë një ndër lojtarët që mund të lërë Vllazninë. Por për shtatlartin duhet gjetur zëvendësuesi i tij para se të bëhet një lëvizje në dalje. Edhe emrat e disa futbollistëve të rinj si: Pjeshka, Delaj dhe Spahija mund të lënë kuqeblutë. Megjithatë për ta vlen vetëm formual e huazimit, në mënyrë që të marrin sa më shumë minuta.

Ende nuk ka asnjë lëvizje zyrtare, por duket se kjo merkato e muajit janar do sjellë zhvillime në kampin shkodran. Pavarësisht se drejtuesit kanë shprehur se do jenë të kujdesshëm në këtë sesion merkatoje. Pas nuk duan të prishin grupin me afrime dhe largime të shumta të futbollistëve.
Endri ÇINARI