Shkruar nga Gjergj KOLA
Mbrojtësi me origjinë nga Shkodra Klej Luka ka ndryshuar së fundi skuadër. Para dy ditësh ai është prezantuar tek AM Aglianese e cila në sezonin e ri do të marrë pjesë në kampionatin e Seria D në Itali.
Luka në fakt ka qenë një lojtar me shumë të ardhme dhe para disa vitesh u pat folur edhe për mundësinë e transferimit të tij tek ekipi i Lacios sepse paraqitjet e tij me Pistoiese i kishin bërë për vete drejtuesit e këtij klubi.
Por në fakt, gjërat morën një rrjedhë krejt tjetër si rrjedhojë e disa dëmtimeve që ai pësoi dhe si rrjedhojë për një kohë jo të shkurtër ka qëndruar larg fushave të blerat. Megjithatë pasioni për këtë lojë dhe mbështetja e madhe e familjes, kanë bërë që ai të vazhdonte të ndiqte dëshirën e tij dhe gradualisht është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Kemi të bëjmë me një futbollist 1.90 metra i gjatë dhe që luan në rolin e qendërmbrojtësit. Në sezonin e kaluar ai ka luajtur 15 ndeshje me ekipin Zenith Prato po në Seria D, megjithatë me përfundimin e kontratës atje dhe insistimin e drejtuesve të AM Aglianese, Klej Luka ka vendosur t’i bashkohet kësaj të fundit.
26 vjeçari është pritur në mënyrën më të mirë të mundshme tek skuadra e tij e re dhe stafi teknik beson shumë në aftësitë e këtij futbollisti të lindur në Itali, por me origjinë nga Shkodra. Dhe mbase ky mund të jetë sezoni i tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


