Vllaznia ishte një nga skuadrat aktive në merkato, duke afruar një numër prej shtatë futbollistësh, që në fund disa prej tyre nuk i kanë dhënë zgjidhjet e duhura skuadrës. Nëse Boshnjaku, Juriç, Marku dhe Mala, edhe pse kanë shfaqur defektet e veta, e kalojnë klasën, pjesa tjetër janë shndërruar në futbollistë stoli.

Për ta nisur fillimisht nga Kaina, i cili u rikthye nga huazimi tek Kastrioti, por nuk ka bërë ndonjë lëvizje për të treguar se ka aftësinë për ta justifikuar besimin, me përjashtim të ndeshjes me Tiranën.

Sulmuesi brazilian e ka pasur mundësinë disa herë dhe nuk kemi parë asgjë që e dallon nga pjesa tjetër. Deri më tani, vetëm një gol dhe dy assist në tetë ndeshje që ka luajtur.

Kristijan Vulaj erdhi te shkodranët si një nga futbollistët më interesantë të futbollit malazez, por ka rezultuar deri më tani një “dështim” nëse mund ta quajmë të tillë, pasi edhe trajneri Mirel Josa nuk e ka preferuar në 11-shen e tij titullare.

Vulaj ka teknikë dhe dinamikë, por futbolli ynë luhet edhe me muskuj dhe këtu ndoshta ai çalon pak. Deri më tani, me përjashtim të golit ndaj Flamurtarit, nuk kemi asnjë sinjal prej tij, teksa duhet thënë se edhe trajneri Josa e ka aktivizuar shumë pak në fushën e lojës.

Nga ana tjetër, Dajan Shehi e nisi mirë si titullar, si pasojë e një dëmtimi të Bulatoviç, por mbrojtësi malazez i mori vendin dhe tashmë, ai është një futbollist që po ngroh stolin. Sa i takon Boshnjakut, Juriç, Markut dhe Malës, edhe pse kanë shfaqur defektet e tyre, ata e kalojnë klasën, pasi që të katërt janë ndër të preferuarit e trajnerit Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI