Vetëm dy javë para fillimit të kampionatit të ri, Vllaznia ndjehet e paplotësuar. Aktualisht skuadra ka në përbërje të saj 24 futbollistë por shumica e tyre janë të rinj dhe nuk japin garancinë e duhur për stafin teknik. Jo më kot trajneri Zmijani në çdo deklaratë të tij ka thënë se pret ende përforcime nga merkatoja. Këtë gjë ka paralajmëruar edhe administratori Kalamishi i cili vetëm pak ditë më parë deklaronte se do të vinin edhe 3-4 futbollistë të tjerë. Megjithatë java e parë e përgatitjeve në Slloveni përfundon nesër dhe me kuqeblutë ende nuk është bashkuar asnjë futbollist tjetër. Ka ardhur nga Italia vetëm një futbollist shkodran, Borshi që luan si mesfushor i cili është në provë për disa ditë. Të tjerë nuk kanë ardhur ende dhe ky është një shqetësim. Situata nuk është aspak e mirë sidomos në repartin e sulmit ku duhen patjetër përforcime. Ai që mendohej të ishte sulmuesi kryesor- malazezi Darko Paviçeviç, jo vetëm që nuk është në formën e tij më të mirë por edhe ka pësuar një dëmtim dhe për dy-tre javë mund të jetë jashtë fushave të blerta. Të gatshëm janë vetëm dy 19 vjeçarët Çinari e Kabuni por ata nuk japin shumë garanci për një sezon të gjatë dhe shumë të vështirë. Por përveç sulmit, përforcime duhen edhe në reparte të tjera por ende nuk dihet se kush do jenë lojtarët që do vijnë.

www.shkodrasport.com