Ky sezon futbollistik ka qenë jo pak i ngarkuar për sulmuesin shkodran Brilant Hasaj. Ky i fundit, i dalë nga Ada e Velipojës aty ku pati edhe aktivizimet e para, pati rastin të luajë në vazhdim me disa skuadra të ndryshme brenda vendit.

Megjithatë, sezoni i fundit që sapo u mbyll ishte disi më i veçantë për Hasajn. Ky sezon futbollistik e gjeti sulmuesin shkodran pjesë të dy kampionateve, atij të Kategorisë së Dytë në përbërje të Murlanit, si edhe të Vllaznisë në kampionatin e futsallës.

Në të dy skuadrat ku ai luajti, pati peshën kryesore si futbollist titullar, duke ndihmuar të dy këto ekipe me golat e tij. Tashmë, kur të dy kampionatet, ai i futsallës dhe i Kategorisë së Dytë, kanë përfunduar, Brilant Hasaj tregon në një intervistë për “Shkodra Sport” sesi ishte ky sezon futbollistik për të.

“Sezon i suksesshëm dhe i veçantë? Po, është e vërtetë. Ky sezon ishte një ndër sezonet më të veçanta që kam luajtur ndonjëherë, sepse mora pjesë në futsall dhe në futboll. Lodhja ishte e madhe, por dëshira për të luajtur më mbajti të lidhur pas këtyre dy sporteve.

Fazën e parë të këtij sezoni që kaloi, unë fillova të luaj për Veleçikun. Megjithatë, pastaj me mbylljen e fazës së parë, kalova te KF Murlani, të cilët objektiv kishin të qëndronin në Kategorinë e Dytë, ndryshe nga Veleçiku që kishin ngjitjen, por pas disa mosmarrëveshjesh aty u largova.

Pas afrimit te Murlani, u bashkova edhe me ekipin e futsallës së KF Vllaznia. Në fakt, ishte fanella dhe profesor Bujar Celufaj që më bëri të shkoja aty dhe të jap kontributin tim, duke dalë edhe si golashënues. Unë besoj se ishte mjaft i suksesshëm si sezon me të dyja, sepse Murlani qëndroi në Kategori dhe në futsall kapëm play-offin”,-thotë sulmuesi shkodran.

Në të dy skuadrat ku është aktivizuar, drejtuesit kanë shfaqur interes për vazhdimin e bashkëpunimit me futbollistin. Megjithatë, vetë Hasaj duket se e ka vendosur përfundimisht vazhdimësinë e tij, teksa i pyetur nga “Shkodra Sport” për të ardhmen, sulmuesi shkodran shprehet se do ta mbyllë këtu me futbollin e luajtur dhe se do të largohet nga Shqipëria për një jetë më të mirë diku jashtë saj.

“Me keqardhje e them që, e ardhmja ime do të jetë jashtë shtetit ose më saktë jashtë Shqipërisë. Nuk besoj se do luaj më as në Shqipëri, as jashtë saj. Me pak fjalë, unë e kam mbyllur me futbollin e luajtur”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport” futbollisti shkodran Brilant Hasaj.

Në karrierën e tij futbollistike, sulmuesi shkodran ka luajtur për Adën e Velipojës, të rinjtë e Vllaznisë, Veleçikun, Tërbunin, Besëlidhjen, Laçin, Burrelin dhe së fundmi e ka mbyllur tek Murlani dhe tek Vllaznia e futsallës. Ndërkohë që, tashmë me lënien e futbollit të luajtur, Brilant Hasaj do të largohet nga Shqipëria për një jetë më të mirë diku jashtë saj.
Maringlen ZHIVANI