Përveç bullgarit Nikolay Gospodinov që është tashmë i zyrtarizuar si trajner i ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, stafi është plotësuar edhe me një tjetër pjestar.

Bëhet fjalë për ish- kapitenin e kuqebluve, Ervin Berdica i cili do të mbajë rolin e zëvendëstrajnerit. Këtë gjë e ka konfirmuar në prononcimin e tij për mediat vetë presidenti Alban Xhaferi.

Berdica në fakt ka disa ditë që ka nisur stërvitjen me ekipin, edhe pa ardhur bullgari ndërkohë që dy ditët e fundit është parë të qëndrojë gjatë me të.

Por play- makeri që u shpall tre vjet rresh kampion me Vllazninë pak sezone më parë, madje duke qenë njeriu që ngriti lart i pari këto trofe, duket se ka marrë edhe një vendim tjetër të rëndësishëm.

Ndonëse në moshën 34 vjeçare, ai nuk ka ndër mend të heqë dorë nga basketbolli i luajtur dhe për këtë arsye, pritet të bëjë edhe detyrën e lojtarit në fushë sa herë që të jetë e nevojshme.

Berdica dallohet për një përgatitje të mirë fizike falë punës sistematike që bën në stërvitje dhe për këtë arsye, do të jetë një ndihmës i Gospodinov jo vetëm në pankinë, por kur t’i kërkohet ndihma edhe në fushë.
© shkodrasport.com