Te Kastrioti ka vijuar stërvitja intensive për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë. Në kampin krutan atmosfera është pozitive dhe këtë e konfirmon edhe mesfushori Henri Okebugu, i cili për “Panorama Sport” thekson se për të qenë skuadra e qetë, duhet vazhdimësi.

“Aktualisht po kalojmë një moment shumë të mirë, por duhet që të kemi vazhdimësi për të qenë në formë. Ndeshjet e fundit kanë treguar se Kastrioti i ka elementët për të mposhtur çdo kundërshtar, ndaj besoj se nëse përkushtoheni siç kemi bërë tani do të kemi sukses.

Ndeshja e radhës luhet në një transfertë të vështirë dhe Vllaznia është një ekip mjaft i mirë që na ka hapur probleme në dy sezonet e fundit, mirëpo tani gjërat kanë ndryshuar dhe ne jemi një tjetër skuadër.

Shkojmë në Shkodër për të dhënë më të mirën tonë dhe shpresojmë që të marrim një rezultat të kënaqshëm”, deklaroi nigeriani. Për ndeshjen me shkodranët, krutanët kanë në dyshim Bedri Grecën, i cili është i dëmtuar prej ditësh dhe ende nuk i është bashkuar pjesës tjetër të grupit.

Krutanët i pret një kalendar mjaft i vështirë, pasi do të luajnë dy transferta radhazi, fillimisht me Vllazninë dhe më pas do të kenë një përballje mbijetese me Dinamon.

Krutanët aktualisht mbajnë vendin e shtatë në klasifikim, me 28 pikë të grumbulluara në 26 javë, 20 prej këtyre pikëve janë marrë që kur drejtimin e skuadrës e mori Emiljano Çela.

Ndeshja Vllaznia-Kastrioti është shtyrë për t’u zhvilluar të hënën e 4 prillit dhe kjo shtyrje ka bërë që krutanët të ndryshojnë programin stërvitor, duke qenë se do të kenë më shumë kohë për ta përgatitur më me detaje këtë sfidë.