Fjoart Jonuzi luajti ndeshjen e 50-të me fanellën e Vllaznisë kundër Kastriotit. Mesfushori kuksian është një prej lojtarëve më të preferuar në formacionin kuqeblu nga trajneri Tomas Brdariç.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Jonuzi tregon për rikthimin te fitorja, diferencën e madhe nga Tirana kryesuese dhe besimin që ai dhe skuadra kanë për të mbyllur në mënyrën më të mirë këtë sezon.
Fjoart, luajtët ndeshjen e 50-të me fanellën e Vllaznisë ndaj Kastriotit. Ju lumturon kjo aventurë në Shkodër?
– Normalisht që është kënaqësi që të jesh pjesë e Vllaznisë. 50 ndeshje janë një shenjë kënaqësie tek unë. Në vitin e kaluar arritëm më të mirën në aspektin e përgjithshëm dhe kjo më bëri që të rinovoja kontratën me klubin. Besoj se kjo shifër do të ndryshojë edhe pse të mos shkoj edhe më tej me suksese të tjera.
Çdo lojtar ka ambiciet e tij, ju çfarë doni të arrini si pjesë e skuadrës kuqeblu?
– Jam përshtatur dhe ndihem shumë mirë te Vllaznia. Mbetet për t’u parë se si do të shkojë ky sezon dhe nëse gjërat ecin mire, do të shikoj për vazhdimësinë me këtë klub. Por, kjo varet edhe nga ana e drejtuesve.
Pas katër barazimeve radhazi, më në fund u kthyet te fitorja. Çfarë nuk ka shkuar që keni vuajtur kaq shumë?
– Më vjen mirë që u dhamë fund barazimeve, duke arritur një fitore të merituar ndaj Kastriotit. Me barazimet e shumta, nga një anë kemi treguar një stabilitet, duke mos humbur prej shumë javësh. Nga ana e pikëve kemi probleme, pasi barazimet nuk na lejojnë të jemi në krye. Megjithatë, shpresoj që pas kësaj fitoreje, të mos ndalemi më.
Ngërçi ka qenë psikologjik?
– Ana psikologjike ka ndikimin e vet, sidomos te sulmuesit. Kur ke shumë barazime, duhet që të futesh me shumë forca për të marrë fitore. Ndaj Kastriotit, terreni dhe kundërshtari na krijuan shumë probleme. Fusha bëri që të mos kishim ritmin e duhur.
Mendoni se ka ardhur koha që të zhbllokohen sulmuesit dhe pjesa tjetër të jetë më e qetë?
– Shpresoj që po. Kemi sulmuesit më të mirë, por tani janë në atë ngërçin e vetë. Uroj që të largohet sa më shpejt ky ngërç. Unë besoj se në gjysmën e dytë të sezonit, sulmi do t’i shfrytëzojë mirë rastet. Ne jemi një ekip që krijojmë shumë përpara portës.
A janë shumë 10 pikë diferencë me Tiranën kryesuese?
– Po, janë shumë 10 pikë. Megjithatë, kemi ende shpresë dhe besoj se të gjitha ekipet mund të hapin probleme. Kemi edhe dy takime me Tiranën. Të gjitha skuadrat do të përballen edhe nga dy herë të tjera me njëratjetrën. Besoj që mbylljen do ta bëjmë siç duhet. 10 pikë vërtet janë shumë, por nuk janë të pamundura për t’u arritur.
Këtë javë do të luani në Laç, pikërisht në një fushë ku shënuat 5 gola në javën e parë?
– Në radhë të parë fusha e Laçit është e vështirë. Laçi ka bërë një kampionat të mirë dhe ka lojtarë me kualitet. Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne. Mungesat e Laçit do të jenë një plus për ne, por edhe ne do të kemi tonat. Duke shikuar se reparti më i fortë i tyre është mesfusha dhe nuk do të kenë lojtarë si Lushkja dhe Shehu, besojmë që nuk do të kenë të njëjtën performancë. Ne nuk duhet që të shikojmë ata, por të kërkojmë të përfitojmë pas kthimit te fitorja.