Pas tri ditëve pushim, Kastrioti do të zbresë sot në fushën e stërvitjes për të nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Vllazninë.

Krutanët do të zbresin në fushat stërvitore me moral të lartë pasi vijnë pas disa rezultateve pozitive dhe aktualisht janë në pozita komode, duke qenë pesë pikë larg zonës së ftohtë.

MESFUSHORI – Edon Hasani është një prej futbollistëve që aktualisht luan për Kastriotin, por që pret të shlyhet nga Tirana për disa paga të prapambetura nga sezoni 2019-2020. Mes mesfushorit dhe Tiranës nuk u arrit një marrëveshje në seancën e pajtimit dhe më pas u zhvillua gjyqi, që nxori fitues Hasanin.

Në fund u vendos që Tirana duhet të shlyente futbollistin, në llogaritë e të cilit duhet të shkojnë 9 mijë euro dhe pagesa e bërë për hapjen e gjyqit.

Lajmin për fitimin e gjyqit dhe faktin që pret të shlyhet nga klubi i Tiranës, e ka konfirmuar për “Panorama Sport” edhe vetë mesfushori i Kastriotit.

Shkodrani ka kërkuar ekzekutimin e vendimit të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve.

Pavarësisht se vendimi është marrë që në shtator, ende nuk është zbatuar dhe tashmë Komisioni i Disiplinës pritet që të vendosë edhe një ultimatum që Tirana ta ekzekutojë vendimin brenda 30 ditësh, ndryshe do të ketë të tjera masa, që nisin me heqjen e tri pikëve.

Tirana me shumë gjasë do t’i japë zgjidhje kësaj situate, pasi është në vendin e parë në renditje dhe nuk mund të rrezikojë për një shifër relativisht të tillë për të ardhurat që pritet të arkëtojë nga pjesëmarrja në kupat e Europës.