Lionel Mesi dhe drejtuesit e Barcelonës kanë tashmë një raport shumë të komplikuar, teksa ata detyruan argjentinasin të qëndrojë edhe për një sezon me katalanasit. Por, nuk ndodhi kështu me Luis Suarez të cilin e shtynë të largohej.

Në përshëndetjen që Mesi i ka bërë Suarez, “pleshti” nuk ka lënë pa sulmuar sërish drejtuesit e klubit, teksa thekson se uruguajani nuk e meritonte këtë trajtim, por tashmë atë nuk e surprizon më asgjë.

“Po mundohesha të kuptoja se ti ishe larguar, por këtë e kuptova vërtetë kur hyra në dhomat e zhveshjes dhe ti nuk ishe.Do jetë e vështirë të mos ndajë ditën me ty, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Shumë moment si shokë, drekë dhe darka. Shumë gjëra të cilat nuk mund t’i harrojmë. Do jetë e vështirë të shoh me një tjetër fanellë, aq më tepër si kundërshtar.

Meritoje të përshëndeteshe për atë që je: një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e klubit, i cili ka realizuar gjëra të rëndësishme si në grup, ashtu edhe individualisht. Dhe, jo të largoheshe kështu si bënë ata.

Por, e vërteta është se në këtë pikë nuk më surprizon më asgjë. Të uroj më të mirën në këtë sfidë të re, të dua shumë dhe shihemi së shpejti mik”, ishin fjalët përshëndetëse të Mesit për Suarez. /VipSport/