Të zhvendosur që prej pasditës së të mërkurës në Austri, Vllaznia vazhdon të përgatitet intensivisht, në kuadrin e ndeshjeve të Conference League ndaj Universitatea Kraiova. Përgatitje këto që janë vazhdimësi të atyre që filluan me datë 15-qershor në Shkodër, por që tashmë falë kushteve optimale që ofron kampingu Pressbaum, rreth 30 km larg Vjenës, janë të një karakteri tjetër profesional.

Seanca këto, të cilat pjesa më e madhe do të jenë me nga dy të tilla në ditë, do të vijojnë deri me datë 13-korrik, kur është planifikuar edhe kthimi në Shkodër. Periudhë kjo që pritet t’i shërbejë trajnerit Mirel Josa për t’i dhënë skuadrës formën e duhur sportive, në mënyrë që ajo të jetë gati për startin e ndeshjeve europiane, si edhe më pas edhe për kampionatin shqiptar që fillon në muajin gusht.

Ndërkohë, sa i përket lajmit për ribashkimin me skuadrën ditën e nesermë të Liridon Latifit, një gjë e tillë është pritur mjaft mirë në gjirin e skuadrës dhe personalisht nga trajneri Mirel Josa, i cili planet për ndeshjet europiane, i ka bërë me kosovarin në formacion.

Në pritje edhe të ndonjë përforcimi tjetër, sidomos në repartin e sulmit, ku më i lakuari është futbollisti Redon Mihana, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Dinamos, me futbollistët që ka aktualisht në dispozicion, trajneri kuqeblu Mirel Josa po provon skema të ndryshme, të cilat pak a shumë pritet të zbardhen me fillimin e tre ndeshjeve miqësore që ka planifikuar për të zhvilluar në harkun kohor të dy javëve.
Maringlen ZHIVANI