Dita e madhe ka ardhur. Milani dhe Interi takohen sërish në fushë, për t’u përballur në një prej derbeve më të shumëpritur dhe më të rëndësishëm në dy dekadat e fundit. Në fakt, kuqezinjtë dhe zikaltërit do të përballen në “San Siro” në një ‘EuroDerby’ special, të vlefshëm për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Një takim i jashtëzakonshëm për të gjithë futbollin italian, i cili në përfundim të kësaj përballjeje të dyfishtë do të rikthehet me një përfaqësues në finalen e kompeticionit më të mirë të klubeve kontinentale.
Të dy skuadrat marrin përsipër sfidën të vetëdijshme për faktin se aksionet janë shumë të larta dhe se marzhet e gabimit do të jenë shumë të vogla. Milani po i afrohet ndeshjes duke u përballur me një dyshim të rëndësishëm: a do të mundet Rafael Leao të jetë mes titullarëve të mbrëmjes së sotme, protagonistëve të ‘EuroDerby’?
Kampioni portugez po përballet me një problem muskulor, që e ngacmoi në ndeshjen e fundit ndaj Lazios dhe, siç u konfirmua në konferencën për shtyp, në prag të duelit ndërqytetas, Stefano Pioli tha se vetëm seanca e fundit stërvitore do të tregojë nëse ai do të rikuperohet apo jo.
Për momentin gjithçka sugjeron që një fanellë titullari, në krahun e majtë të sulmit kuqezi, do t’i shkojë Saelemaekers, i cili me Brahim Diaz dhe Bennacer duhet të plotësojë treshen në mbështetje të sulmuesit të vetëm, Giroud. Krunic dhe Tonali do të përbëjnë dyshen qendrore të mesfushës, ndërsa Calabria, Kjaer, Tomori dhe Theo Hernandez do të rreshtohen në linjën mbrojtëse, përpara Maignan.
3-5-2 i zakonshëm për Interin, që vjen në këtë përballje italo-europiane në kushtet më të mira të treguara deri më tani, këtë sezon. Simone Inzaghi, përpara Onanës do të rreshtojë treshen mbrojtëse të përbërë nga Darmian, Acerbi dhe Bastoni.
Dumfries dhe Dimarco do të kryesojnë daljet nga e djathta dhe e majta, ndërsa në mesfushë, Brozovic do të vendoset në “dhomën e kontrollit”, me Barella dhe Mkhitaryan që do të luajnë nga brenda. Pankinë për ish-in Calhanoglu. Në sulm, Dzeko do të jetë “shpatulla” e Lautaro Martinez.
Ja formacionet e mundshme:
MILAN (4-2-3-1): Maignan; Calabria, Kjaer, Tomori, Theo Hernandez; Krunic, Tonali; Brahim Diaz, Bennacer, Saelemaekers; Giroud.
INTER (3-5-2): Onana; Darmian, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Brozovic, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro, Dzeko.