Situata te Vllaznia ka zhgenjyer shumekend. Skuadra ishte ndertuar per te qene pretendente e forte per titullin por rruges ndodhen shume gjera dhe ajo tashme rrezikon edhe Europen. Rudi Vata e konsideron gabimin largimin e Joses.

“Situata e Vllaznisë? Vllaznia është e dobët, shumë e dobët. Për momentin ka humbur kiminë e skuadrës Vllazni, kimia me tifozin është shumë e rëndësishme. Tifozi është shkëputur se është zhgënjyer prej lojtarëve. Lojtarët kanë një farë emri, paguhen shumë mirë, por produkti ka qenë shumë i keq, nuk ka arritur të marrë maksimumin e këtyre lojtarëve.

Ndryshimi i trajnerëve ishte shumë gabim,, nuk mendoj se kishte fajin trajneri. Josa ka qenë shumë i suksesshëm në kampionatin shqiptar, ka dalë edhe në grupe në Europë, ka fituar kampionate e Kupë e gjithçka. Ishte ai që e çoi në Europë duke fituar Kupën.

Për mua ka qenë gabim dhe i nxituar. Nuk i bën vetëm Vllaznia, është i përgjithshëm në futbollin shqiptar, ndodh në çdo klub, i gjen pa fund këto probleme. Kjo vjen gjithmonë nga emocionet e pakontrolluara, reagimet e shpeshta, por çdo gjë duhet analizuar e menduar mirë kur merr një vendim. Të largosh një trajner nuk është si të largosh një punëtor krahu a fushe.

Trajneri është shumë i rëndësishëm dhe të kesh parasysh që një trajner si Josa është një lloj Kapelo e Ançeloti në miniaturë për kampionatin shqiptar, ka fituar shumë e ka bërë gjëra shumë të mira në kampionatin shqiptar, nuk mund ta largosh në mënyrë të tillë se nuk ka sens.

Trajnerët e suksesshëm nuk mund të largohen aq shpejt, me emra si Duro e Josa, ka humbur futbolli shqiptar. Edhe nga mënyra se si trajtohen trajnerët. E ndjej edhe trajtimin që u bëhet, nuk janë të lirë që nuk lejohen të marrin vendime të rëndësishme.

Këta trajnerë si Josa, Daja, Duro, Shehi janë trajnerë që normalisht edhe si futbollist e trajnerë kanë pasur një lloj suksesi. Nëse nuk i respekton, t’i dëgjosh fjalën e kuptosh, nëse nuk konsultohesh e vlerëson punën si trajner sigurisht nuk ke edhe si e respekton, unë mendoj se nuk janë të lirë. Siç nuk janë shqiptarët në përgjithësi të lirë, se Shqipëria nuk është vend i lirë, njerëzit në përgjithësi janë të nënshtruar”- eshte shprehur Rudi Vata.