Edlir Tetova, nëse Egnatia do të arrijë ta kalojë me sukses ndeshjen e sotme përballë Vllaznisë, do të mbahet mend gjatë si i pari trajner, që i çon rrogozhinasit në një finale Kupe.

Puna intensive dhe serioziteti që ka treguar Egnatia gjatë këtij sezoni, janë pasqyruar më së miri deri më tani. Në kampionat vendi i tretë është “i blinduar” tashmë dhe në Kupë janë vetëm një hap larg një momenti të madh, duke arritur finalen e parë në historinë e klubit.

Para kësaj ndeshjeje shumë të rëndësishme, Tetova foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku tregoi gjendjen e skuadrës së tij dhe çfarë pret nga kjo sfidë. Tetova shprehet se skuadra që do të tregohet më e duruar, do të fitojë këtë ndeshje. Trajneri i rrogozhinasve rrëfen se skuadra është përgatitur edhe për penalltitë për sfidën, që luhet sot në orën 14:00 në shtëpinë e Egnatias.

Sa shanse ka Egnatia për të shkuar në finale të Kupës?

Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e kujdesshme nga të dyja ekipet dhe kush do të ketë më shumë durim, do të shkojë në finale. Ne jemi për herë të parë këtu ndërsa Vllaznia është fituese e Kupës në dy edicionet e fundit. Përtej kësaj, ne në asnjë moment nuk ndihemi inferiorë.

A ndikon në ndeshjen e sotme rezultati i sfidës së shkuar dhe fakti që nuk keni humbur në asnjë sfidë me shkodranët në këtë sezon?

Kupa dhe kampionati janë dy kompeticione të ndryshme. Në takimin e kthimit ne do të kërkojmë vetëm fitore. Nuk luhet për pikë. Duam kualifikim dhe kurrsesi eliminim. Prandaj e kemi të qartë që ky takim kërkon minimizim të çdo lloj gabimi në lojë.

Si ka qenë atmosfera gjatëpërgatitjeve të kësaj ndeshjeje?

Do ta quaja shumë pozitive në çdo aspekt. Po punojmë fort për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje të dytë karshi Vllaznisë.

Keni probleme fizike dhe dëmtime për ndeshjen e sotme?

Grupi është i plotë dhe nuk kemi asnjë mungesë.

A jeni përgatitur edhe për 11-metërshat?

Kupa vërtet i ka të gjitha dhe për këtë ne kemi bërë gjithë përgatitjet e duhura.

Çfarë duhet bërë më mirë sesa takimi në Shkodër, ku Vllaznia barazoi në limitet e shtesës?

Duhet të jemi shumë të përqendruar dhe të mos bëjmë gabime, siç na ndodhi në limitin e shtesës në ndeshjen e parë, kur na iku fitorja nga duart.

Momentalisht jeni në dy fronte, Kupë dhe kampionat. Ka ndikuar kjo ngarkesë në skuadër?

Jemi shumë të përqendruar nëtë dyja frontet. Nuk ka ndikuar asgjë. Na duhet të jemi me këmbë në tokë dhe sipas radhës së kompeticionit, kërkojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje që kemi përpara. Është e kuptueshme që duke afruar fundi i sezonit, ngarkesat fizike janë shtuar. Por ne nuk shqetësohemi edhe nga kjo gjë, sepse kemi një skuadër solide dhe me lojtarë cilësorë.

Nëse Egnatia arrin në finale, kujt do t’ia dedikoni këtë sukses?

Shpresoj të shkojmë në finale. Këta djem e meritojnë këtë, sepse po punojnë si profesionistë e po sakrifikojnë. Do t’ua dedikoj atyre finalen.