AC Milan ka lëshuar një komunikatë pas arritjes së marrëveshjes me Zlatan Ibrahimovic. Suedezi po rikthehet në Serie A pas avanturave në Ligue 1, Premierligë dhe MLS.
“AC Milan njofton se ka lidhur marrëveshje me Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez ka arritur një marrëveshje me klubin deri në fund të këtij sezoni, me opsionin për ta zgjatur atë”, nis njoftimi i Milan, përcjell lajmi.net.
“Zlatan Ibrahimovic, i lindur në Malmo (Suedi) më 3 tetor 1981, kthehet në Milano pasi ka shkruar faqe të rëndësishme në historinë e Rossonerëve, duke u paraqitur në 85 ndeshje, e duke shënuar 56 gola”.
Po ashtu bëhet e ditur se Ibrahimovic do të jetë në Milano të enjten më 2 janar për testet mjekësore, para zyrtarizimit të rregullt të marrëveshjes.
Ibrahimovic për faqen zyrtare të klubit ka deklaruar se do të luftojë me shokët e tij për të ndryshuar rrjedhën e këtij sezoni.
“Po kthehem në një klub që e respektoj jashtëzakonisht shumë dhe në një qytet që e dua”, ka deklaruar Ibrahimovic, përcjell lajmi.net.
“Unë do të luftoj me shokët e mi të skuadrës për të ndryshuar rrjedhën e këtij sezoni dhe do të bëj gjithçka për të arritur qëllimet tona”