Agim Canaj debuton nesër në Shkodër, në rikthimin e tij të tretë te Vllaznia. Canaj, si një nga trajnerët me eksperiencë të madhe në futbollin shqiptar, i cili ka provuar që të drejtojë ekipe në të “katër anët” e Shqipërisë, madje edhe pretendente për titull, në një intervistë enkas për “Vipsport.al”, tregon debutimin dhe rikthimin në Shkodër, objektivin Superiore, por edhe çështjen e stadiumit dhe të rinjtë…

-Canaj, hera e tretë që riktheheni në Shkodër, si e gjetët Vllazninë?

Është e vërtetë që unë e marr drejtimin e ekipit për herë të tretë, por ama është bërë një punë shumë emirë nga paraardhësit e mi. Hasan Lika dhe stafi i tij kanë punuar shumë mirë apo dhe hallkat e tjera të klubit dhe skuadrës.

Fakti që Vllaznia është në vend të parë do të thotë shumë. Tashmë më mbetet mua dhe stafit tim që të vazhdojmë këtë punë të mirë dhe pse jo edhe ku ka vend për përmirësime të bëjmë diçka pozitive në të mirë të Vllaznisë dhe Shkodrës që e do futbollin…

-Përpara keni ndeshjen me Besëlidhjen, një debutim me një nga ekipet që këtë sezon ka qenë rivale në pjesën më të madhe të sezonit, por ka marrë edhe pikë në Shkodër. Si e keni përgatitur ekipin?!

Besëlidhjen e respektoj, kam luajtur disa herë kundër lezhjanëve në shumë ekipe që kam drejtuar. I respektoj, janë një ekip që në Kategorinë e Parë i kanë dhënë tonin. Besëlidhja ka kualitete dhe për mua është si një “Vllazni B”, sepse historikisht ka pasur shumë lojtarë nga Shkodra.

Pjesën më të madhe të tyre i njoh, i kam stërvitur edhe te Vllaznia dhe janë djem dhe sportistë shumë të mirë. Është një derbi që më motivon për të fituar, mua skuadrën por edhe tifozët.

-Meqë përmendet tifozët, Vllaznia rikthehet të dielën në stadium pas katër muajve. Një mesazh për ultrasit duke qenë se në Shkodër gëzoni popullaritet?

Unë i falënderoj, kam parë që më kanë mirëpritur dhe unë në Shkodër jam vlerësuar. Shkodra është si shtëpia ime e dytë. Në Shkodër të vlerësojnë dhe tifozët e duan futbollin, e duan të bukurën dhe duartrokasin edhe kundërshtarin kur fiton. Nuk kanë komplekse. Në Shkodër edhe sikur të fitojë skuadra më e dobët, kur luan mirë futboll e adhurojnë dhe e duartrokasin.

Jo më kot janë djepi i futbollit. Duke qenë se jemi në vend të parë, luajmë një derbi me Besëlidhjen, apo dhe jemi në vend të parë dhe rikthehemi në stadium, i ftoj që të jenë të shumtë të na mbështesin sepse do të fitojmë edhe për ata.

-Si duket kontingjenti i lojtarëve?

Unë i njoh, madje them me bindje se janë 15-16 futbollistë të cilët kanë kualitet, madje kanë një kontribut të çmuar dhe të spikatur te Vllaznia dhe jo vetëm. Madje, këta lojtarë mund të shprehin vlerat e tyre më mirë në Superiore se në Kategorinë e Parë.

Unë jam një trajner me eksperiencë e njoh mirë futbollin dhe më besoni, Vllaznia luan futboll bashkëkohor dhe disa ekipe nuk janë si Vllaznia. Në disa fusha luhet futboll shumë i fortë. E rëndësishme është që gara është përballuar më së miri, si nga veteranët ashtu edhe nga të rinjtë e talentuar shkodranë…

-Meqë përmendët të rinjtë, në Shkodër këtë sezon paraardhësit tuaj i kanë aktivizuar shumë pak, çfarë do të bëni ju me elementin vendas?

Unë e thash edhe më lart, në Superiore e ke shumë më të lehtë që të aktivizosh lojtarë të talentuar, pasi luhet futboll më i bukur dhe normalisht dhe terrenet. Mund të aktivizosh edhe lojtarë 17-18-19 vjeçar sepse luhet më lirshëm.

Ne vërtetë jemi shumë afër Superiores, por ama kur ta sigurojmë matematikisht do të aktivizoj edhe lojtarët e rinj që janë të perspektivës. Gjatë kësaj periudhe po i shoh., besoj se shumë shpejt do të jetë edhe radha e tyre./Vipsport/