Mbërritja në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në një mënyrë sa të papritur, aq edhe e merituar, është arritje e rëndësishme për t’u lumturuar dhe bërë krenar, por eliminimi, sa i hidhur, aq edhe i merituar në duart e Interit, prish humorin e një sezoni të tërë europian, duke i afruar atij grinë e përjetuar në Serie A.

Atëherë, çfarë duhet bërë në fund të këtij sezoni që kuqezinjtë ta mbyllin sezonin 2022-2023 duke buzëqeshur? Milani duhet të fitojë tri ndeshjet e ardhshme të Serie A, duke shpresuar të mbyllë hendekun momental në renditje me Interin, Juventusin dhe Lazion.

Natyrisht, një sy dhe një vesh do ta mbajë edhe gjetiu, se çfarë do të ndodhë së shpejti jashtë fushës me klubin bardhezi (në lidhje me penalizimin). Sot, në ndeshjen e parë në “San Siro”, pas humbjes në ‘EuroDerby’, do të vijë Sampdoria, tashmë e zbritur nag Serie A.

Trajneri Pioli nuk dëshiron të dorëzohet: “E vetmja gjë e vërtetë është të fitojmë ndaj Sampdorias, të tjerat (fjala është për penalizimin e mundshëm me heqje pikësh të Juventusit) nuk mund t’i kontrollojmë dhe nuk mund të na shqetësojnë”. Ajo që kuqezinjtë mund të kontrollojnë, duke filluar nga sonte, është performanca e tyre ndaj skuadrave ‘më të vogla’.

“Për shkak të sasisë së punës, – shpjegoi Pioli në konferencë, – ne kemi finalizuar shumë pak. Gabime teknike ose zgjedhjeje, por duhet të bëjmë më mirë, sidomos ndaj kundërshtarëve të mbyllur në mbrojtje. Kemi qenë të mangët në disa gjëra për të përcaktuar rezultatin përfundimtar”.

Për të ndalur këtë trend negativ ndaj skuadrave në anën e poshtme të renditjes, Stefano Pioli do të mbështetet në lojtarët shumë titullarë edhe në kampionat: Maignan në portë, Calabria dhe Theo Hernandez si mbrojtës të krahut. Thiaw shumë i konfirmuar në mbrojtjen qendrore së bashku me njërin mes Tomorit (i preferuari) dhe Kjaer.

Krunic dhe Tonalit në mesfushë, me Giroud në majë të sulmit, i mbështetur në të djathtë nga Saelemaekers (duhet të jetë ai në vend të Messias), në qendër përsëri nga Brahim Diaz, dhe në të majtë nga Leao, që nuk ishte në maksimumin e vet kundër Interit, por kërkon të kthehet menjëherë protagonist. Të lënduarit Ibrahimovic dhe Bennacer janë të padisponueshëm./telesport/