Pas goditjes së nëntë, me mbrojtësin 21-vjeçar Marko Pelegrino që pritet të zbarkojë në orët e ardhshme në Milano, “djalli” do të kërkojë ta mbyllë me “notën 10” këtë merkato, duke i shtuar edhe një “pykë” Stefano Piolit.

Dhe ndoshta, pas nisje me një fitore bindëse ndaj Bolonjës, uria e drejtuesve për të kompletuar edhe më shumë grupin kuqezi mund të jetë bërë edhe më e madhe, pasi është e vërtetë që ingranazhet nuk janë ende në funksion normal, por sa më shumë elementë të shtosh, aq më mirë mund të punojnë ato. Për sa i përket numrit 9 të shumëdëshiruar, laku sa vjen e po ngushtohet.

Sardar Azmun është goditja më e lehtë, pasi lojtari i Leverkusenit kërkon largimin nga Bundesliga, i ka thënë “po” Milanit dhe mbi të gjitha nuk kushton më shumë se 3-4 milionë euro.

Por nëse për iranianin diheshin këto detaje, emri i ri është ai i gjermanit, Niklas Fylkrug. 30-vjeçari i Verder Bremenit, tashmë edhe pjesë e Kombëtares së Gjermanisë, duket një bomber që përveç golave garanton edhe eksperiencë, ndaj shihet si një profil interesanti si zëvendës i Zhirusë.

Me 188 centimetrat e tij tremb jo pak kundërshtarët dhe di të krijojë hapësirën e tij në zonë, por çështja është nëse Milani duket i gatshëm që të shpenzojë 20 milionë euro për të. Ndërkohë, një alternativë që mbetet në këmbë është ajo që lidhet me Romelu Lukakun.

Belgu, me anë të menaxherit të tij është vetofruar sërish ditën e djeshme, pasi u tradhtua si nga Interi, ashtu sikurse nga Juventusi, ndonëse edhe klube të tjera të mëdha nuk duket se kanë besim tek ai. Çelsi, që e ka nën kontratë, natyrisht që nuk ia fal sjelljen e bërë gjatë kësaj vere dhe pse jo mund të vazhdojë që ta konfirmojë si të dënuar dhe jashtë grupit të skuadrës së parë.

lukaku

Dhe Milani, natyrisht që do të ishte i interesuar për të pasur një si Lukaku, një gjigant që nuk ka shumë nevojë për prezantime duke parë se çfarë ka mundur të bëjë tek Interi. Por fakti që ai fiton 12 milionë euro është diçka jashtë mundësive të “Djallit”. Por nëse vetë Lukaku vendos të përgjysmojë pagën, qoftë edhe për një sezon të vetëm, ndoshta Milani do ta vlerësonte maksimalisht këtë mundësi.