Auron Miloti është një emër i njohur i futbollit shkodran dhe një ndër ish-sulmuesit, që ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar pas viteve ’90. Fillimisht luajti për skuadrën e vendlindjes, Vllazninë dhe më pas u transferua te Tirana, ku në katër sezone rradhazi, arriti të fitonte disa tituj kampion me fanellën bardheblu.

Deri para pak kohësh, Miloti jetonte prej dy dekadash në Austri, aty ku edhe i dha fund futbollit, ndërsa sot në moshën 47-vjeçare, i vjen në ndihmë Vllaznisë në rolin e zv/trajnerit.

Para disa kohësh, Miloti kishte veshur edhe tutat e trajnerit në Austri, që pas zhvendosjes me familjen e tij atje, teksa ka ushtruar detyrën e trajnerit në futbollin austriak. 

Gjatë periudhës së fundit, Miloti, i cili është pajisur edhe me liçensën e trajnerit, “UEFA PRO”, u përfol si kandidaturë për të marrë detyrën e trajnerit të ekipit të parë, Vllaznia, por që në çastet e fundit, klubi nënshkroi me gjermanin, Thomas Brdariç.

Duket se preferencat e presidentit Alban Xhaferi ndaj Milotit, bënë që ai të këmbëngulte për ta përfshirë atë në stafin kuqeblu, por këtë radhë në detyrën e zv/trajnerit. Ku i dihet ndoshta shumë shpejt Milotin mund ta shohim edhe si trajner të parë, pasi e meriton, duke ditur se sa me pasion punon ai.

Maringlen ZHIVANI