Ekipet e Akademisë Vllaznisë do të startojnë punën ditën e enjte teksa do të grumbullohen dhe do të zhvillojnë seancat e para stërvitore. Bëhet fjalë për katër ekipet e grupmoshave U19, U17, U16 dhe U15. Ky i fundit do ta nisë më herët stërvitjen në krahasim me vitet e kaluara por kjo ndodh ngaqë sivjet do të marrë pjesë në kampionatin e kategorisë Superiore të kësaj grupmoshe, kampionat ky që organizohet për herë të parë nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Klubi shkodran e ka konfirmuar tashmë pjesmarrjen në këtë kampionat dhe padyshim që do ta nisë atë si pretendent me ekipin e tij ngaqë kemi të bëjmë me një grupmoshë e cila ka në përbërje të saj lojtarë të talentuar. Por lajmet e mira për ekipin Vllaznia U15 nuk përfundojnë këtu.

Drejtori i Akademisë Alban Neziri ka siguruar edhe zhvillimin e një ndeshje miqësore luksi për të. Më 31 tetor do të vijë në Shkodër ekipi i klubit irlandez Shamroch Rovers dhe dy ekipet do të zhvillojnë një ndeshje në stadiumin “Loro Boriçi”.

Padyshim që kjo do të jetë një eksperiencë shumë e bukur për futbollistët shkodranë por edhe trajnerët e tyre sepse kemi të bëjmë me një ekip të një klubi të njohur të Irlandës. Vllaznia U15 konsiderohet një nga ekipet më të mira aktualisht të Akademisë Vllaznia për sezonin e ri futbollistik
www.shkodrasport.com