Miqësorja Arabi Saudite-Shqipëri, e programuar për ditën e nesërme, nuk do të transmetohet në asnjë televizion, shqiptar apo të huaj.
Kështu, tifozët shkodranë, që kishin planifikuar të shohin tre futbollistët e Vllaznisë, Erdenis Gurishta, Esat Mala dhe Esin Hakaj, duke luajtur për Kombëtaren, do ta kenë të pamundur një gjë të tillë. Gjithçka ka të bëjë me një kërkesë të Federatës Arabe, e cila ka kërkuar që përballja me Shqipërinë të mos transmetohet në televizion.
Arabia Saudite është një ndër skuadrat e kualifikuara për në Botërorin e Katarit, që starton në muajin nëntor, ku është shortuar në një grup me Argjentinën, Meksikën dhe Poloninë dhe takimi me Shqipërinë është tepër i rëndësishëm për ta në përgatitjet për Botërorin.
Kështu, duke qenë se kjo sfidë luhet më pak se një muaj para debutimit në Kupën e Botës, arabët kërkojnë të ruajnë efektin surprizë, për të mos iu dhënë rivalëve në grup pika referimi në lidhje me skuadrën e tyre. Pikërisht nga ky fakt vjen edhe kërkesa kategorike që ndeshja të mos transmetohet në asnjë televizion, duke mos prodhuar fare sinjal televiziv.
Në këtë mënyrë, edhe publiku shqiptar dhe ai shkodran nuk do të ketë mundësinë për ta ndjekur sfidën e nesërme, për të cilën trajneri Edoardo Reja ka grumbulluar një grup të përbërë kryesisht nga futbollistë të kampionatit shqiptar.
Maringlen ZHIVANI