Kombëtarja shqiptare e futbollit luan në mesjavë ndeshjen e parë miqësore për muajin nëntor, atë ndaj Katarit, ku vëmendja do të jetë përsëri te futbollistët e kampionatit shqiptar.

FSHF ka bërë të ditur edhe programin e ekipit që do të ndjekë shembullin e atij të grumbulluar për miqësoren e pak ditëve më parë ndaj Arabisë Saudite.

Kështu, lista do të bëhet publike ditën e premte dhe sipas FSHF do të ketë në përbërje kryesisht futbollistë nga Kategoria Superiore. Grumbullimi do të nisë zyrtarisht të shtunën me vetë trajnerin Reja i cili do të shfaqet para mediave për të argumentuar zgjedhjet e tij dhe planin që ka me futbollistët e përzgjedhur për këtë sfidë që i shërben më shumë si test vendit organizator të Botërorit.

Ekipi do të stërvitet në Durrës për tre ditë, për të udhëtuar më pas të martën drejt Spanjës, ku do të luajë të mërkurën në orën 18:30 në stadiumin e Marbeja.