Vllaznia dhe Mirel Josa kanë nisur ditën e sotme përgatitjet e javës anti-Partizani. Trajneri kryeqytetas është fokusuar tek ana taktike, pasi dita e ndeshjes po afron pak nga pak dhe tekniku i Vllaznisë kërkon të fiksojë formacionin që do të sfidojë Partizanin, të premten në kompleksin e vendasve.

Në miqësoren e fundit ndaj Kastriotit, trajneri Josa ka përzier disi kartat, teksa emrat e aktivizuar në formacionin e parë ndaj krutanëve ishin një miks mes të rinjve dhe atyre me përvojë. Trajneri e vendosi një gjë të tillë, duke kërkuar të zbulojë sa më pak të jetë e mundur titullarët, në mënyrë që të mbajë të gjithë grupin në tonus para ndeshjes.

Megjithatë, nga ajo që kuptohet lehtësisht, trajneri Josa do t’u besojë futbollistëve më në formë për momentin. Kur duhen edhe tre seanca përgatitore deri në ndeshjen ndaj Partizanit, Josa ka kohën e duhur për të shuar të gjitha dilemat, por duket se ai i ka paksa “mendimet e trazuara” për 11-shen që do të fiksojë për të premten.

Realisht, një fakti të tillë ai do t’ia japë drejtimin e duhur në tre ditët e ardhshme që ka në dispozicion, duke nisur nga të martën, të mërkurën dhe të enjten. Megjithatë, si mund të luajë Vllaznia?

Me Zogoviç të sigurt në portë, edhe katërshja e mbrojtjes nuk pritet të ketë dilema, teksa për të luajtur titullar po lufton me kohën për t’u rikuperuar Dajan Shehi. Në krahun e djathtë pritet të jetë Smajli, ndërsa në të majtë Hakaj. Në qendër pritet të luajnë kapiteni Gurishta dhe Shehi.

Në mesfushën me tre futbollistë më afër formacionit duken Jonuzi, Boshnjaku dhe Alivoda. Sa i përket fazës ofensive, në majë pritet të jetë Kaina, teksa nga krahët për momentin titullarë shikohen Mala dhe Marku.

Gjithsesi, një prej tyre në repartin e avancuar do të jetë në balotazh me Hoxhajn deri në fund, me Josën që duket i dyzuar, pasi kërkon të shikojë edhe seancat e rradhës për të marrë një vendim përfundimtar për fazën sulmuese. Ndërkohë, Liridon Latifi as këtë ndeshje nuk pritet të jetë i gatshëm, teksa ka pak gjasa të luajë deri në fund të janarit.
Maringlen ZHIVANI