Ka nisur ditën e sotme në Kamëz kursi i trajnerëve për liçensën “UEFA A”. Kështu, ata që do të marrin pjesë do të jenë shumë ish-futbollistë profesionistë që kanë dëshirë të vijojnë rrugën e trajnimit, që duke nisur nga dita e sotme do të ndjekin leksionet e para të këtij kursi.

Në fakt, pothuajse të gjithë ata janë emra të mëdhenj, të njohur në futbollin shqiptar dhe jo vetëm. Kështu, në këtë kurs marrin pjesë edhe dy ish-futbollistë të njohur të Vllaznisë, siç janë Ndriçim Shtubina dhe Skerdi Bejzade. I pari do të jetë me një detyrë të re tashmë si trajner i Egnatia U-21, ndërsa i dyti prej vitesh është trajner me moshat në Gjermani.

Realisht, “UEFA A”, edhe pse është niveli i dytë për nga rëndësia për një trajner futbolli, mbetet sërish një kurs shumë i rëndësishëm, pasi të gjithë teknikët që pajisen me këtë liçensë marrin statusin e “trajnerit profesionist”, duke kaluar kështu nga trajnimi në futbollin amator në atë profesionist.

Me marrjen e liçensës, këta trajnerë mund të drejtojnë të gjitha skuadrat e moshave dhe skuadrat në Kategorinë e Parë, por njëherësh mund të jenë edhe zv/trajnerë në ekipet e kampionatit të “Abissnet Superiore”.

Ndërkohë, përveç Ndriçim Shtubinës dhe Skerdi Bejzades, në këtë kurs do të marrin pjesë edhe emra të tjerë të njohur të futbollit shqiptar, siç janë Mërgim Mavraj, Ermir Lenjani, Besart Berisha apo edhe Gentjan Muça.
Maringlen ZHIVANI