Vllaznia luan nesër kundër Egnatias në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo është ndeshja e parë e shkodranëve me Mirel Josën në krye të pankinës. Skuadra kuqeblu pozicionohet në vendin e pestë, edhe pse me pikë të barabarta me Kukësin e vendit të katërt, por verilindorët janë më lart për shkak të diferencës më të mirë në gola sa u përket ndeshjeve direkte mes tyre

Josa ka zhvilluar deri më tani tri seanca me ekipin dhe dje nisi të punojë faktikisht, duke provuar formacionin që pritet të zbresë në fushë nesër.

Në këtë takim do të mungojë kapiteni Erdenis Gurishta, i cili u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Tiranës. Në vendin e tij gjasat janë që të luajë Fangaj nga minuta e parë, por Josa ka ende disa dilema, veçanërisht në krahët e sulmit.

Trajneri me shumë mundësi do të përdorë skemën 4-3-3. Mungesë e sigurt për këtë takim është edhe ajo e sulmuesit Fahrudin Gjurgjeviç, i cili nuk është riaftësuar ende prej dëmtimit.

Ndërkohë, dje klubi ka publikuar edhe çmimet e biletave, që variojnë nga 1 dhe 2 mijë lekë të vjetër në tribunat anësore, si dhe 10-15 mijë lekë të vjetër në sektorët qendrorë të stadiumit.