Largimi i Robert Levan dovskit nuk mund të jetë dhe aq tragjik sa mendohej në fillim. Edhe pse ende asgjë nuk është vendosur për të ardhmen e polakut, gjasat që ai të mos vazhdojë me kampionët e Gjermanisë janë të mëdha. Por në Mynih janë të bindur që nëse bëhen transferimet e duhura, Bajerni mund të vazhdojë të jetë konkurrues për të gjithë trofetë edhe në sezonin e ri. Madje, nuk është nevoja as për të gjetur një zëvendësues kokë më kokë me polakun.

Trajneri Julian Nagelsman po mendon të gjitha opsionet dhe ajo që i duhet është vetëm të gjejë rreshtimin e duhur të lojtarëve që ka në dispozicion. Në rastin më të mirë, Bajerni do të siguronte shërbimet e Kristofer Nkunkut, sulmuesit të Lajpcigut, i cili në këtë sezon u shpall lojtari më i mirë në Bundesligë. Me 34 gola në 51 ndeshje në sezonin që lamë pas, në të gjitha kompeticionet, 24- vjeçari është bërë një nga lojtarët më të kërkuar për momentin. Ai vlerësohet me 65 milionë euro nga “Transfermarkt”, por Lajpcigu kërkon të përfitojë më shumë dhe do të ishte i gatshëm për ta lënë të lirë nëse do të vinte një ofertë 100 milion euroshe për francezin.

NJË SULM RAKETË

Me Nkunkun në skuadër, Bajerni do të formonte një sulm, ndoshta nga më të shpejtit në botë. Gnabri, Sane dhe Koman të cilët kanë të njëjtat karakteristika si sulmuesi i Lajpcigut, do të dominonin çdo kundërshtar si në aspektin teknik ashtu dhe në atë fizik. Në duelet një kundër një, Bajerni do të ishte një “fuqi bërthamore”. Golat do të ishin diçka që Nagelsmani nuk do ta vriste mendjen dhe rrjedhimisht ndeshjet do të fitoheshin më me lehtësi, por gjithmonë ka një dyshim. A do të arrijë trajneri bavarez të krijojë kiminë e duhur me lojtarët e lartpërmendur? Nëse po, atëherë largimi i Levës le të ndodhë që tani dhe tifozët të nisin të mendojnë për një skuadër fenomenale ku kryefjala do të ishte spektakli.

SA SHUMË GOLA DHE ASISTE

Plot 73 gola dhe 51 asiste kanë realizuar Gnabri, Koman, Sane dhe Nkunku në këtë sezon për skuadrat e tyre. Shifra që premtojnë sukses dhe trofe. Por te Bajerni jemi mësuar të shohim dhe lojtarë të tjerë që shënojnë.Pra, bavarezët do të ishin një makineri golash. Në sezonin që sapo u mbyll, skuadra e Nagelsmanit shënoi 97 gola duke vendosur një rekord të ri. E ardhmja e bavarezëve duket se do të jetë në duar të sigurta edhe në vitet në vazhdim.