Mirlind Daku po zhvillon një edicion të shkëlqyer me skuadrën e Mura në Slloveni. Sulmuesi i lindur në Gjilan, në 1 janar të 1998, ka shënuar 16 gola në 27 ndeshjet që ka luajtur mes kampionatit, kupës dhe ndeshjeve në Conference League, duke regjistruar shifra të kënaqshme.

Kartoni i 25-vjeçarit është në pronësi të kroatëve të Osijek, të cilët e huazuan në fillim të sezonit në Slloveni, por tani “fërkon duart”, duke shpresuar se Daku mund të jetë sezonin e ardhshëm një element i rëndësishëm për skuadrën, gjithnjë nëse në tavolinën e klubit nuk mbërrin një ofertë e mirë financiare.

Hapat e parë të karrierës si profesionist Mirlind Daku i ka hedhur tek skuadra e Hajvalisë, teksa në edicionin 2016-2017 shënoi 7 gola mes Kupës dhe Kampionatit, ndërsa më pas kaloi tek Llapi ku realizoi 20 gola në të gjitha garat, duke qenë shënuesi më i mirë i kampionatit me 17 gola, ndërsa realizoi dhe tre të tjerë në Kupën e Kosovës.

Pikërisht kjo paraqitje e tij ngjalli interesin e skuadrës së Osijek, që i ofroi një kontratë 4-vjeçare.

Klubi kroat mori kartonin e lojtarit duke paguar një shifër prej afro 60 mijë eurosh tek Llapi, megjithatë nuk i bëri vend menjëherë në skuadrën e parë. Daku u aktivizua në 15 ndeshje me skuadrën e dytë duke shënuar 2 gola.

Në edicionin pasues, drejtuesit gjetën gjuhën e përbashkët me Kukësin, për ta huazuar për një edicion, megjithatë sulmuesi nuk gjeti hapësira tek kuksianët, që në edicionin 2019-2020 kishin një ekip me lojtarë si Vasil Shkurtaj, Kristal Abazaj, Eduart Rroca dhe Valon Ethemi.

Sulmuesi luajti vetëm 12 ndeshje në Superiore, duke shënuar vetëm një gol ndaj Flamurtarit në nëntor të vitit 2019 ndërsa realizoi dhe dhe 2 gola në Kupë në 3 takimet që luajti.

Pas eksperiencës me Kukësin, Daku vendosi që të aktivizohej për një tjetër sezon në Kosovë, përsëri i huazuar nga Osijek.
Në Suharekë, 25-vjeçari ishte i papërmbajtshëm duke shënuar 31 gola në 35 ndeshje e duke qenë ylli i kampionatit. Shifra që i dhanë besim Osijek që t’i jepte mundësinë dhe në kampionatin kroat, ku Daku shënoi 4 gola në 15 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës.

Në janar, Mura shfaqi interes për sulmuesin por Osijek këmbënguli sërish se sulmuesi mund të largohet vetëm në formë huazimi.

Në pjesën e dytë të sezonit, futbollisti nga Gjilani, shënoi dhe 5 gola të tjerë me Mura, duke qenë lojtari i cili i nxiti drejtuesit të bisedojnë përsëri me kroatët, në mënyrë që ai mos të largohej nga Sllovenia.

Gjuha e përbashkët u gjet dhe Daku e nisi sezonin e ri si titullar, besim që 25-vjeçari e ka përligjur më së miri, për shkak se e ka udhëhequr skuadrën e tij duke shënuar 13 nga 36 golat që ka realizuar ekipi i tij, por e ka gjetur 2 herë golin dhe Europa League e një herë në Kupën e Sllovenisë.

Mirlind Daku ka luajtur 12 ndeshje zyrtare me ekipin e 21-vjeçarëve të Kosovës, ndërsa është aktivizuar në vetëm pesë sfida miqësore me skuadrën e parë të dardanëve.

Mungesa e aktivizimit në ndeshjet zyrtare me fanellën e Kosovës krijon mundësinë që ai të ndryshojë skuadrën që do të përfaqësojë në nivel Kombëtaresh, me Shqipërinë që mund ta marrë në konsideratë që t’i bëjë vend në grumbullimet e trajnerit Sylvinho, duke parë formën e mirë që po kalon Daku.