Mario Mitaj quhet djaloshi 17-vjeçar që po thyen rekorde të njëpasnjëshme te AEK. Fillimisht duke debutuar në kampionat dhe për të vendosur rekordin si lojtari i huaj më i ri që është aktivizuar nga AEK. Për të vazhduar me debutimin në “Europa League” kundër Leicesterit, për të qenë futbollisti më i ri që është aktivizuar ndonjëherë nga AEK në Europë.

I gjithë besimi i treguar nga drejtuesit është shpërblyer në përballjen kundër Apollon Smyrnis, teksa në fitoren me rezultatin 3-4, dy asiste kanë ardhur nga mbrojtësi 17-vjeçar. Vlerësime dhe jehonë të madhe ka bërë në Greqi, ndërsa fatmirësisht ky “thesar” i përket Shqipërisë.

Etapat i ka tejkaluar edhe te Kombëtarja, teksa së fundmi ishte pjesë e Shqipërisë U-21. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Mitaj na tregon se Greqia e ka ftuar njëkohësisht me kuqezinjtë, por personi që e ka bërë të mos e mendojë më gjatë Shqipërinë ishte Mustedanagic.

Lojtari i huaj më i ri që luan me AEK në kampionat dhe lojtari i AEK më i ri në histori që luan në Europë. E nisim me këto statistika, çfarë do të thonë për ty?

Me këto arritje mund të them se ka ardhur shpërblimi i punës dhe sakrificës që kam bërë së bashku me familjen time. Sigurisht që kjo më jep kurajo që të punojë edhe më shumë në të ardhmen.

Për të kaluar te dy asistet e dhëna ndaj Syrmins. I pari ishte kalibrim perfekt dhe dukeshe po aq i gëzuar sa të kishe shënuar vetë. Si ishin emocionet?

Ishte një kënaqësi e madhe për mua se e zhbllokuam ndeshjen që në minutat e para. Për më tepër që unë dhashë asistin e parë për skuadrën dhe më kanë përgëzuar të gjithë lojtarët e stafi i skuadrës për lojën që kam zhvilluar.

Gjithmonë AEK shkruan se e ardhmja e ndritur po e pret Mitajn, pas çdo rekordi historik që ke thyer. Mario, ti e ndien veten gati?

Me besimin tek vetja dhe duke besuar se me punë dhe sakrificë ecet përpara, unë mendoj se jam gati. Nuk do t’i zhgënjej asnjëherë ata që zgjedhin të më besojnë.

Më herët dimë se ka pasur dëshirë nga Greqia që të merrte te grup moshat. Ti qetësojmë tifozët shqiptarë, e ke vendosur përfundimisht për Kombëtaren e Shqipërisë?

Kam pasur ftesa nga Greqia dhe Shqipëria njëkohësisht. Personi që ka meritën që unë i’u bashkova Kombëtares kuqezi është ish-trajneri i atëhershëm te U-17, Dzemal Mustedanagic. Me mënyrën e komunikimit të vazhdueshëm dhe besimin që tregonte ndaj meje më ka shuar çdo lloj dyshimi që mund të kisha. Gjej rastin për ta falënderuar dhe jam shumë i kënaqur nga Kombëtarja deri tani.


Nëse vazhdon aktivizimin te AEK, a je gati për një ftesë nga Reja për të ndezur krahun e majtë në skemën 3-5-2 që në kualifikueset e Botërorit apo mendon se do të jetë e vështirë që të mbash këtë përgjegjësi?

Jam i gatshëm që të jap maksimumin në rast të një ftese nga Reja, do të jap maksimumin tim. Por ajo varet nga trajneri që padyshim është specialist në atë detyrë. Reja do të vendos nëse do të bindet apo jo nga aftësitë e mia. /Sport Ekspres/