Rikthehen pas dëmtimeve Aleksandër Isaevski dhe Herald Marku, por Brdariç ka dilema për përfshirjen e tyre në formacion. Gjithsesi, e sigurt është që sot të dy lojtarët do të jenë pjesë e stolit dhe mund të përdoren në çdo moment nëse ka nevojë skuadra.

Në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, lëvizjet do të jenë të pakta. Lojtari i krahut të majtë nga Togo, Elom Nya-Vexhi, ka fituar besimin e Brdariç dhe sërish do të jetë titullar.

Risia pritet në majën e sulmit, aty ku Salim Cise po fiton kredite javët e fundit. Në një moment ku skuadra është futur në krizë rezultatesh, sytë janë nga afrimet e janarit, pasi përveç Nyavedji, trajneri ka besim edhe te forma në rritje e mesfushorit malazez, Millosh Kaleziç.

Mungesa e Da Silvës së dëmtuar ia prish disi planet Brdariçit, por gjithsesi me një kontingjent prej 25 lojtarësh, ku diferencat mes tyre janë të vogla, trajneri është i qetë dhe sot beson se afrimet e janarit mund t’i japin një shtysë skuadrës për të kaluar këtë moment kritik.