“Është normale që ia ndiej mungesën, por e ndjek ende me të njëjtin pasion të madh”. Pavarësisht se kanë kaluar tri vite nga shitja e aksioneve te grupi “Suning”, Masimo Morati mbetet tifozi i parë i Interit, prandaj ishte e pamundur që “Gazzetta dello Sport” të mos e “përndiqte” për t’i marrë një intervistë ish-padronit zikaltër, mbi të gjitha pak orë përpara ndeshjes me rivalët dhe armiqtë e përjetshëm të Juventusit, me të cilët Interi dhe Morati kanë dueluar jo vetëm brenda, por edhe jashtë fushe.

morati

President, titulli i arkivuar nga Juventusi mund të përbëjë një avantazh për Interin në pritje të duelit të “San Siro”-s?

Absolutisht jo, sepse Juventusi do të kërkojë që të tregojë në një sfidë kaq të ndjerë se cila është skuadra më e fortë. Në këtë rast do të duan t’ia tregojnë Interit dhe interistëve. Ndaj, për 90 minuta shumë të luftuara dhe spektakolare, Interi për të fituar duhet të bëjë një ndeshje madhështore.

Morati, jeni dakord që me Juven nuk është asnjëherë një ndeshje si me të tjerat?

Për sa më përket mua, ndaj Juves e kam ndierë gjithmonë edhe më shumë sesa kur na duhej të luanim derbin me Milanin. Absolutisht, për mua Juvja ishte rivalja numër një. Dhe është normale, duke menduar gjithçka ka ndodhur mes nesh në të kaluarën…

Si mund t’i mbyllë Interi diferencat ndaj Juves?

Ndonjëherë duket sikur diçka e tillë është thuajse e pamundur, por në të vërtetë janë më pranë seç mendohet. Është e vërtetë që ata kanë shumë vite që dominojnë, por Interi nuk është aq larg. Kur tek Interi të konkretizohet kolaudimi perfekt, shoqëri-skuadër, jam i bindur se kjo skuadër do të bëjë gjëra madhështore.

Afrimi i Marotës mund të quhet një vlerë e shtuar?

Prezenca e Marotës është jetike, pasi pranimi i tij për të punuar për Interin tregon se Marota ka ende armë për të treguar nga repertori i tij. Sigurisht që të ngresh një cikël fitues tek Interi, pas 8-9 viteve punë te Juventusi, do të kërkojë dyfish sforco, por stimujt nuk mungojnë, prandaj kam besim se Marota do t’i ofrojë Interit ato gjëra me të cilat diti të ringrejë edhe Juventusin.

Mund të na bëni një bilanc të sezonit të Interit?

Ndoshta mund të kishin bërë diçka më shumë, por edhe sivjet hasën në disa probleme që tashmë të gjithë i njohim, madje rezultati mund të kishte qenë edhe më negativ nëse nuk do të ishin në krye njerëz si Marota, për shembull, por edhe një trajner i duruar si Spaleti.

Si president, si do ta kishit menaxhuar çështjen “Ikardi”?

Sinqerisht do kisha kërkuar të bëja diçka ndryshe, por mjaft është folur mbi këtë argument, ndaj e lëmë me kaq. Ndërkohë, vazhdon të përflitet për një afrim të Kontes, apo ndoshta edhe për një rikthim të Murinjos… Nuk dua të hyj në këtë çështje. Kjo u përket drejtuesve aktualë, ndonëse di të them se Spaleti është një trajner shumë i zoti, një trajner me një talent të madh. Si president i keni dhuruar shumë yje Interit dhe tifozërisë suaj.

Nëse do të ishit në drejtim, për cilin lojtar do të bënit çmendurira?

Nëse do të isha unë president, do të tentoja me çdo kusht Mbapenë. Aktualisht, ai është i preferuari im. Madje, jam i bindur kur them se është më i talentuari dhe më i forti në qarkullim.