Vllaznia do të luajë të enjten e ardhshme në transfertë kundër Partizanit, ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Ky takim mjaft i rëndësishëm për ekipin shkodran, po përgatitet maksimalisht nën urdhrat e trajnerit Elvis Plori. Me skuadrën është stërvitur normalisht Da Silva dhe Ardit Hoxhaj.

Dy sulmuesit kanë marrë ngarkesën e duhur, kurse Krymi është i vetmi që shqetëson stafin teknik.

Mesfushori i njohur ka probleme fizike dhe ende është në dyshim për sfidën e javës së ardhshme. Stafi mjekësor po bën maksimumin për ta rikuperuar, por gjithçka do të vendoset para takimit me të kuqtë.

Sakaq Erdenis Gurishta është tjetër futbollist në dyshim. Mbrojtësi i linjës së djathtë ka nisur të stërvitet me ekipin, por ende nuk dihet nëse do të luajë apo jo në këtë gjysmëfinale që do të zhvillohet në orën 17:45./newsport/