Ndërprerja e kampionateve të futbollit, për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, po shfrytëzohet nga shumë prej ekipeve për të zhvilluar ndeshje miqësore. Kështu do të veprojë edhe ekipi i Murlanit, teksa kundërshtari me të cilin ai do të ndeshet, është shumë interesant.

Kështu, bëhet fjalë për ekipin suedez Nacka. Ky i fundit merr pjesë në Kategorinë e Tretë të Suedisë.

Ai ndodhet për momentin në Shqipëri, ku është duke zhvilluar fazën përgatitore dhe për rrjedhojë, ka kërkuar një ndeshje miqësore, për të cilën drejtuesit e Murlanit janë treguar të gatshëm. Ndeshja do të luhet ditën e sotme në orën 15:00 në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe pritet me interes nga të dy ekipet, që do të masin forcat ndaj njëri-tjetrit.

Një ndeshje historike kjo për këtë klub, për vetë faktin se është hera e parë që luan kundër një ekipi të huaj, që pritet të shoqërohet me hapa të tjerë në vazhdimësi. Një ekip i ri, i mirëorganizuar në staf, infrastrukturë dhe me futbollistë cilësorë, i cili ka ambicie për t’u rritur nga viti në vit shkallët e konkurrimit.

Në prag të kësaj miqësoreje, trajneri i Murlanit, Altin Xhahysa, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ka folur rreth kësaj ndeshje, teksa tha se ndihen të privilegjuar ai dhe klubi që drejton për këtë duel ndaj një ekipi të huaj.

“Të them të drejtën, duke parë edhe emrin e klubit tonë, Murlani, që është një klub i ri dhe duke parë rëndësinë që i ka kushtuar ekipi nga Suedia, për të bërë një ndeshje miqësore me ne, është një privilegj me të vërtetë i madh. Po ashtu për klubin, po ashtu edhe për lojtarët, po ashtu edhe për mua si trajner, sepse është një eksperiencë e re, të luajmë me një ekip të huaj kundërshtar, duke ditur që janë edhe nga Suedia.

Siç thashë edhe më parë, klubi është i ri. Ka një vit e gjysëm, që është formuar si klub dhe të bëhet një ndeshje miqësore me një ekip të huaj, pra nuk është një ekip dosido, por interesimi ka qenë i madh sidomos nga ana e shkodranëve. Shumë pyetje më kanë bërë. Pra, është me të vërtetë një privilegj i madh dhe një ogur i mirë edhe për klubin, pasi i jep një emër tjetër më të mirë.

Të them të drejtën, për sa i përket kampionatit, ekipi mund të ketë pasur luhatje, por nuk është luhatja për shkak të mosorganizimit të lojës dhe asaj që unë kam kërkuar dhe kërkoj te ekipi, sa është një pjesë që unë e kam pasur bezdi gjithmonë, që është pjesa e albitrimit

. Jemi duke u penalizuar në maksimum nga gjyqtarët dhe çdo pikë që sot ka Murlani, 25 pikë, janë vetëm me djersën, mundin dhe punëm që ka bërë Murlani. Prandaj, unë jam shumë i kënaqur nga pjesa e ekipit, nga stafi, sidomos nga presidenca, që është në mbështetje maksimale çdo ditë në ekip.

Të them të drejtën, si presidenca, poashtu edhe unë si trajner, ne jemi shumë të kënaqur, sepse ndoshta jemi pak më tepër se objektivi, që kemi filluar kampionatin. E thashë, duke qenë se jemi një klub i ri dhe shumë lojtarë që kemi marrë afër ekipit, e kishin lënë futbollin e luajtur, është diçka shumë e suksseshme për ne, duke ditur se jemi nga ekipet pretendente për të dalë, duke parë edhe zonën play-off, me 5 ekipe dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me këtë ritëm, për të pretenduar, për të dalë në play-off.

Pastaj, aty dihet, janë ndeshje teke dhe gjithçka mund të ndodhin, por duke bërë krahasimin me ekipin e vendit të parë, vendit të dytë dhe vendit të tretë, që janë para nesh, të them të drejtën, nuk mund të kenë asnjë lloj diference me ekipin tonë.

Normalisht, të them të drejtën, kryesoren që kam me ekipin, pas çdo ndeshje, pas çdo humbjet dhe pas çdo fitoret, unë merrem më tepër tek pjesa e anës psikologjike, anës morale të lojtarëve, që mos të bien, por të them të drejtën, e shpreha edhe më përpara si, ne jemi duke pasur shumë penalizime nga ana e albitrimit, në raste flagrante.

Kur them flagrante, janë shumë të hapura. Të them të drejtën, edhe ndeshja me Luzin, edhe pse janë pretendentë për të zënë vendin e parë, 90 minuta vetëm një korne, ka bërë Luzi karshi ekipit tonë. Pa llogaritur, shumë raste të ekipit, një dominim total i ekipit”,-thotë ai.

Në fund, kur pyetet se si është të kesh në ekip nipin, Rigersin, i cili iu bashkua kësaj skuadre në janar, trajneri Xhahysa shprehet se ai në fushën e lojës nuk është nipi i tij, është i barabartë me të gjithë lojtarët e tjerë.

“Të them të drejtën, dikush edhe mund të thotë, se Rigersi është nipi i Altinit, por unë jam ndër ata persona që në fushë, ai nuk është nipi im. Eshtë Rigers Xhahysa. Pra, janë këmbët e tij dhe dhe është puna e tij që bën.

Megjithatë, të them të drejtën, të kesh në ekip Rigersin është privilegj, për arsye se ka një horizont, ka një filozofi loje shumë të qartë, shumë të bukur dhe shumë të mirë. Prandaj, ai është ndihmesë dhe të them të drejtën, në shumicën e rasteve, edhe golat dhe shumë gjëra të tjera, vijnë prej këmbëve të tij”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Murlanit, Altin Xhahysa.

Maringlen ZHIVANI