Ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit i kishte të gjitha, penallti të goditura dy herë, karton i kuq i dhënë e i pathënë, e disa ndërhyrje të VAR-it.

8’ Jonuzi tenton dy herë nga jashtë zone dhe bllokohet nga Bitri, por në rastin e dytë mbrojtësi e ndal me dorë sferën, që po i drejtohej portës. Arbitri me të drejtë, pa nevojën e konsultës me VAR-in, akordon 11-metërsh.

10’ Hoxha e pret penalltinë dhe nis menjëherë të tijtë në kundërsulm. Kur tashmë loja po luhej në zonën e Vllaznisë, arbitri Lata ndal lojën pas sinjalit të VAR-it. Hoxha ka lënë vijën fatale para se topi të goditej dhe urdhëron edhe një herë goditjen e penalltisë. Pamjet tregojnë se vendimi është i drejtë, por në këtë rast VAR-i duhet të kishte ndërhyrë më shpejt dhe të sinjalizonte kryesorin për ndaljen e lojës.

20’ Bitri ndërhyn ashpër, i painteresuar për topin ndaj Latifit në mesfushë, teksa Vllaznia po niste një kundërsulm. Mbrojtësi e kishte një të verdhë dhe i dyti e përjashtonte. Arbitri e fal dhe nëse i referohemi rregullores, mund të themi se ka gabuar.

36’ Skuka rrëzohet në duel me Bulatoviçin në zonë dhe pretendon për penallti. Arbitri urdhëron vazhdimin e lojës dhe menjëherë më pas konsultohet me VAR-in në kufje. E qartë është se kontakti ka ndodhur brenda kufizimit të zonës së rreptësisë, por intensiteti i veprimit të Bulatoviçit është ai që vë në dyshim gjithçka. Moment shumë i dyshimtë dhe i interpretueshëm.

44’ Hakaj në një dyluftim në mesfushë me Albion Markun godet kundërshtarin me bërryl. Arbitri nga fusha nuk e dallon, por pas rishikimit në ekranin e VAR-it, me të drejtë i nxjerr kartonin e kuq ish-it të kësaj sfide.

65’ Cara shënon, por anësori e anulon për pozicion jashtë loje. Ndërhyn VAR-i dhe me të drejtë e konsideron golin të rregullt.