FSHF-ja kishte caktuar katër gjyqtarë të FIFA-s në fushë dhe dy të tjerë në sistemin VAR, që gjithashtu janë ndërkombëtarë.
Kryesor ishte Eldorjan Hamiti, ndërsa në teknologji udhëhiqte Enea Jorgji.

Gjykimi ka qenë korrekt dhe në përgjithësi Hamiti i menaxhoi mirë rastet e diskutueshme.I vetmi moment që ndoshta kryesori mund të mos ketë shumë faj, pasi ishte disi larg aksionit është në minutën e 14-të, kur pas një përplasjeje të fortë në krahun e djathtë, Najdovski rrëzon Malën pa u futur ende në zonë.

Këtu arbitri vijoi lojën, por duhej dhënë faull për shkodranët dhe karton i verdhë për lojtarin maqedonas të Tiranës, pasi kishim të bënim me një aksion premtues për gol.

Ndërkohë, rasti më flagrant i ndeshjes ishte në minutën e 84-t, kur Latifi jep një asist te Çoba, i cili i vjedh kohën Najdovskit, e më pas rrëzohet në zonë pas kontaktit me Përgjonin.

Hamiti akordon direkt penallti për Vllazninë dhe ndëshkon me karton të verdhë lojtarin bardheblu.Më pas edhe VAR-i i jep të drejtë vendimit të lezhjanit.