Laçi mundi 0-1 Vllazninë, në ndeshjen e javës së 19-të të Superiores. I ftuar në RTSH Sport në Rubrika Sportive është i mirënjohuri Shkëlqim Muça, i cili flet për këtë 90 minutësh.
Muça shprehet se shkodranët i kishin të gjitha mundësitë për të dalë me 3 pikë, por nuk u treguan cinikë. Ai vlerëson maksimalisht kurbinasit, si një ekip tejet i fortë. Gjithsesi, pranon se penalltia ishte fat.
“Vllaznia do merrte më shumë në këtë ndeshje, pasi Laçi nuk ishte në ditët më të mira. Vllaznia i kishte të gjitha mundësitë të fitonte. Bëri atë ndeshje që duhej të bënte, duke patur mjaft ritëm. Është një ekip që sulmon, por ka probleme, pasi nuk është një ekip cinik.
Laçi më befasoi. Ka luajtur më mirë se me Partizanin. Unë mendoj se bëri një lojë të mirë. Lojtarët i shikoj të vendosur mirë në pozicione. Ishte një ndeshje e hapur. Goli ishte edhe fat, me lojtarin që shkaktoi një penallti e ky ishte gabimi” – tha ai.