Pushimi në ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit për shkak të kalendarit të saj, ka bërë që drejtuesit e ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë të shohin mundësinë për zhvillimin e ndonjë ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe. Pak kohë më parë, ai luajti në Podgoricë ndaj Buduçnostit ndërsa se fundi ka zhvilluar një tjetër miqësore, por këtë herë me ekipin kampion në fuqi të Malit të Zi dhe njëkohësisht kryesuesen e kampionatit të këtij vendi aktualisht, pikërisht me Budvanska Riviera të qytetit të Budvas. Ndeshja është zhvilluar në pallatin e sportit të këtij qyteti dhe sigurisht që i ka shërbyer shumë volejbollistëve shkodranë.

Kjo ngaqë niveli i ekipit kundërshtar ka qenë shumë i lartë sepse në përbërje të tij kanë qenë jo vetëm volejbollistët më të mirë malazez por edhe dy brazilianë të ofruar së fundi në rradhët e tij. Rezultati përfundimtar i kësaj miqësoreje ka qenë 3-1 për vendasit por trajneri i Vllaznisë Mark Kroqi është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit që ai drejton. “Mund të them se kundërshtari ishte i një niveli më të lartë se ai i ekipit tonë, nisur nga përbërja që kishte por edhe investimi i bërë për të. Gjithsesi paraqitja e Vllaznisë mendoj se ka qenë e kënaqshme sepse kemi arritur të fitojmë setin e tretë ndërsa në ato që kemi humbur, kemi shënuar në secilin prej tyre mbi 20 pikë. Natyrisht që objektivi jonë është të bëhemi gati për sfidat që na presin në volejbollin shqiptar megjithatë besoj se këto miqësore po i shërbejnë shumë ekipit tonë”. Ndeshjen e rradhës ekipi i Vllaznisë do ta zhvillojë nesër në Shkoder ndaj Partizanit, për të cilën patjetër që objektivi do të jetë fitorja.