Migen Memelli është i ikur nga Skënderbeu. Rezultatet e nëntë javëve të luajtura dhe mbi të gjitha humbja e fundit në Peshkopi që i pozicionoi në vend të 7-të në renditje, i kanë sosur durimin presidencës.
Drejtuesit e klubit po përgatisin ndryshim radikal në pankinë.Duket si një lëvizje e paralajmëruar, derisa Ardjan Takaj kishte vendosur edhe “ultimatum” për ndeshjet e fundit.
Rezultatet nuk janë në favor të trajnerit, ndërsa në tri ndeshjet e fundit ka mbledhur vetëm 2 pikë nga 9 të mundshmet.
Me zërat që vetëm po shtoheshin ditët e fundit, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi vetë kreun e klubit.Presidenti konfirmoi planin e tij, që prek direkt stolin.
Për t’i dhënë një tjetër impuls skuadrës, ai që e pëson në këtë mes është pikërisht tekniku pogradecar.Shkurtimisht dhe prerë, ai njoftoi se do të ketë ndryshime në pankinë për pjesën e mbetur të sezonit.
Nuk ka pranuar të japë sqarime të mëtejshme se kur do të ndodhë zyrtarisht “divorci” dhe kush do të jetë pasuesi, por thjesht qartësoi vendimin:“Do të ketë ndryshime në klub, prisni vetëm pak ditë.Do të ketë një trajner të ri te Skënderbeu dhe më pas, hap pas hapi do të shohim çfarë mund të ndryshojmë tjetër.Për momentin kaq mund të them”.
Ndonëse konfirmoi ndryshimin e trajnerit në ditët në vijim, presidenti nuk pranoi të flasë për emra duke u treguar rigoroz në dhënien e informacionit të plotë.
Ajo që vlen të theksohet është se për momentin janë disa emra në tavolinën e Ardjan Takajt për të marrë drejtimin e ekipit, madje me ndonjë prej tyre bisedimet janë në fazë të avancuar.
Edhe pse duket se gjithçka është mbyllur, formalitetet do të kryhen në ditët në vijim.Trajneri duket se do të ketë një takim me presidentin, për të folur rreth termave të marrëveshjes. Themi në ditët në vijim, pasi aktualisht ekipi ka marrë pushimet.