Murlani i femrave ka marrë një fitore të thellë në ndeshjen e javës së fundit të kampionatit, atë që ka luajtur paraditen e sotme në Kamëz ndaj ekipit Tirana AS. Në fund të 90 minutave të saj, vajzat e drejtuara nga trajneri Arben Parmeza kanë fituar me rezultatin 7-0.

Ka qenë Çerkini ajo që ka zhbllokuar shifrat në minutën e 13-të, për t’i lënë më pas vendin brazilianes Santos për golin e dytë. Po në pjesën e parë do të shënonte edhe 15 vjeçarja e talentuar Rosela Vasa duke e mbyllur këtë pjesë në shifrat 3-0.

Në fillimin e së dytës do të ishte braziliania tjetëër Santana që do të shënonte golin e katërt, për t’i lënë vendin pastaj bashkëatdhetares tjetër Cabral për golin e pestë, ndërsa të gjashtin do ta shënonte kapitenia Paula Jaku. Për të mbyllur ndehsjen do të mendonte sërish braziliani Cabral e cila do të shënonte golin e shtatë dhe të fundit.

Përfundimisht 7-0 për Murlanin ndaj Tirana AS dhe me këtë trepikësh ai ngjitet në kuotën e 37 pikëve duke u pozicionuar në vendin e katërt të renditjes. Skuadra debutuese në kampionatin e femrave ka edhe një ndeshje të prapambetur për të luajtur mesjavën e ardhshme ndaj Apolonisë dhe e mbyll këtu rrugëtimin e saj në këtë kampionat.

Kuptohet duke nxjerrë gabimet e bëra gjatë këtij sezoni dhe për të menduar një sezon krejt ndryshe në shtator kur Murlani pretendon ta nisë sezonin e ri me pretendime krejt të tjera./SHKODRA-SPORT.COM/